Kryeministri i Malit të Zi. Dritan Abazoviq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Pritja e Kurtit për kryeministrin Abazoviq – VIDEO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim homologun e tij, kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kurti dhe Abazoviq pritet të nënshkruajnë Marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kurti e Abazoviq do të deklarohen për media.

Mëngjesin e sotëm Abazoviq është pritur në takim nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili i ka dhuruar ‘Çelësin e qytetit’.

“Me të vërtetë e ndjej veten si në shtëpinë time”- tha Abazoviq.

Për dy ditë me radhë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të jetë në Kosovë, në një vizitë ku pritet të zhvillojë takime me krerë institucionalë, biznese por edhe vizita në objekte fetare.

Gjatë kësaj vizite ai do të jetë i shoqëruar nga dy ministra të Qeverisë dhe dy kryetarë komunash.

Abazoviq do të vizitojë edhe familjen e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe do të bëjë homazhe te varri i tij.

Pasditen e së shtunës Abazoviq do të takojë liderët opozitarë, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Të shtunën paradite, Dritan Abazoviq do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ndërsa takime ai do të zhvillojë edhe me përfaqësues të komuniteteve në Kosovë.

Takime, ai do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Angelo Michelo Ristuccio.

Gjatë së shtunës, ai do të vizitojë edhe Komunën e Pejës, ku do të pritet nga kryetari Gazmend Muhaxheri.