Prishtinë, shtetasi i huaj alivanoset te një objekt në zonën industriale, vdes në QKUK

Sot rreth orës 10:00 një shtetas i huaj është alivanosur në një objekt në zonën industriale në Prishtinë.

Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, ka thënë se personi është dërguar menjëherë në QKUK.

“Rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një person në gjendje të alivanosur në ambientet e një objekti në zonën industriale në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent ndërkohë që viktima ishte dërguar në QKUK”, ka thënë Borovci.

Tutje Borovci  bëri të ditur se vdekja e viktimës, shtetas i huaj, është konstatuar pak më vonë nga ana e stafit mjekësor.

“Rreth orës 11:15 nga ana e mjekëve në QKUK, është konstatuar vdekja e viktimës, i gjinisë mashkullore, rreth 55 vjeç, shtetas i huaj”, shtoi tutje Borovci.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, derisa Policia në koordinim me prokurorin e shtetit po trajton rrethanat e ngjarjes duke proceduar hetim mbi vdekjen.