Prindërit kërkojnë të ndalet greva dhe fëmijët të kthehen në kopshte

Prindërit e fëmijëve të kopshtit “Gëzimi Ynë” kanë marshuar sot për të  kërkuar që fëmijët të kthehen në kopshte.

Prindërit marshuan duke kërkuar zgjidhje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Qeveria e Kosovës.

“Arsyeja e protestës është që gati një muaj janë mbyllur kopshtet edhe për ne si prindër është e pa arsyeshme dhe e pa përballueshme mbyllja e këtyre kopshteve dhe për këtë arsye kemi dashur të bëjmë një protestë simbolike me qëllim që kërkesat tona të reflektojnë para qeverisë”- tha Teuta Jahji.

Marshi ka filluar nga objekti i Qeverisë së Kosovës dhe ka vazhduar deri tek zyret e SBAShK-ut.

“E kuptojmë grevën, e respektojmë atë, nëse ka mundësi disi, meqë tash po i kuptojmë edhe kërkesat e tyre të na hapen çerdhet, së paku ndërtesat që të futen fëmijët tanë, gjë që ka plotë prindër që janë interesuar që të mbajnë mësim për ta, por më e mira e së mirës do të ishte mësueset të kthehen dhe mbajnë mësim për fëmijët tanë”- ka thënë Vlora Nikçi.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi.

Disa shkolla kanë filluar procesin mësimor, por greva është duke vazhduar.