Tensionet në veri, BSPK-ja del në mbështetje të Policisë së Kosovës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka dalë në mbështetje të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Përmes një komunikate, BSPK thotë se pjesëtarët e rendit do t’ia dalin me syçeltësi e me qetësi e në bashkëpunim të plotë me KFOR-in ta mbajnë rendin dhe qetësinë për të gjithë qytetarët në veri të vendit.

BSPK po ashtu dënon ashpër, siç thuhet në komunikatë, cytjet e Serbisë së papërmirësueshme e cila është duke i ndërsyer pandërprerë destabilzuesit të cilët kanë veprim dhe zanat vetëm krimin.

“BSPK beson fort se të ndërsyerit e Serbisë së papërmirësueshme e të mesjetshme nuk do të mund të prodhojë destabilizim dhe të cenojë demokracinë vendit tonë e cila u fitua me çmim tejet të lartë dhe me përkrahjen e vendeve më demokratike të botës e mbi të gjitha me gjakun e bijave më të mira e bijve më të mirë” – thuhet në komunikatën e BSPK-së për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot njësitë e saj në veri të vendit janë sulmuar me armë zjarri nga grupe të armatosura.

Në vetëmbrojtje njësitë e Policisë janë detyruar të kundërpërgjigjen me armë zjarri ndaj personave të armatosur, të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.