Ilustrim

Inspektorati i Punës e cilëson grevën e BSPK-së të jashtëligjshme

 

Greva e thirrur nga BSPK nuk ka qenë e ligjshme, sepse ka shkelur 3 pika të Ligjit për Greva.

Kështu ka konkluduar Inspektorati i Punës, i cili ka bërë inspektimin e grevës më datë 30.08.2022.

Kryeinspektori, Hekuran Nikçi tregoi për KALLXO.com se pikat e shkelura janë nga neni 8 dhe neni 17 të këtij ligji.

“Nuk është zbatuar neni 8, pasi që BSPK-ja nuk i ka njoftuar të gjithë punëdhënësit siç e obligon kjo dispozitë. Po ashtu kontestuese është edhe kompetenca e njoftimit, se bazuar në dispozitën e nenit 8 të Ligjit për Greva, paragrafi 1 i këtij neni, njoftimin për grevë duhet ta bëjë Këshilli Grevist dhe jo siç ka vepruar BSPK-ja me shkresat e saj, ku është nënshkruar edhe kryetari i sindikatës dhe kryetari i këshillit drejtues sepse sipas kësaj dispozite grevistët i përfaqëson vetëm këshilli grevistëve”- tha ai.

Nikçi tha se sipas inspektimit nuk është zbatuar as paragrafi i parë i nenit 17 sepse BSPK-ja nuk ka prezantuar dëshmi se ka marrë veprimet e nevojshme për organizimin e shërbimeve të rëndësisë jetike.

Neni 17 thotë: “Organizimi i grevës në veprimtaritë me interes të veçantë publik, dhe në veprimtaritë në të cilat ndërprerja e punës, bazuar në natyrën e punës, mund të rrezikoj jetën, apo shëndetin e njerëzve, apo të shkaktoj dëme me pasoja të mëdha, mund të realizohet nëse plotësohen kushtet e veçanta të përcaktuara me këtë ligj. Si kusht i veçantë është që të sigurohet minimumi i procesit të punës dhe prodhimit, që të sigurohet jeta dhe shëndeti i njerëzve, apo mos shkaktimi i dëmeve me pasoja të mëdha”.

“Unë ju njoftoj se në bazë të këtij raporti të përpiluar, konkludohet se greva e thirrur nga BSPK-ja nuk ka qenë e ligjshme”- tha Nikçi.

Ai tregoi se është shqiptuar edhe gjobë dhe është dërguar me procedurë për kundërvajtje në Gjykatë, sepse siç tha ai, Ligji për greva e parasheh edhe gjobën dhe citon se vetëm Inspektorati i Punës e mbikëqyr këtë ligj.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin lidhur me këtë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm.