Foto: KALLXO.com

BSPK dënon vendimin për largim të përkohshëm nga puna të disa sindikalistëve të “Trepçës”

Bashkimit i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK ka reaguar pasi kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.

Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha.

Në një postim në Facebook, BSPK ka reaguar duke e quajtur këtë vendim të papranueshëm, ndjellakeq e njëkohësisht edhe të rrezikshëm.

“Të largosh nga puna veprimtarët sindikalistë vetëm e vetëm se janë pranë Minatorëve në kërkesat e tyre të drejta është më shumë se tejet ndjellakeq pasi që prish demokracinë dhe përdhos djersën e Minatorit” – thuhet në reagim.

BSPK tutje ka thënë se ky akt pengon organizimin sindikal.

“Çdo kush që merr këso lloj vendimi të padrejtë dhe të pabazuar e të pambështetur ligjësisht bën shkelje të rëndë po njëkohësisht edhe NDJELLKEQ në mjedisin tonë demokratik duke e rrënuar demokracinë dhe duke u munduar t’ia marrë të drejtën Minatorit tonë për të përdorur mjetet kushtetuese e ligjore për të mbrojtur të drejtën e fituar nga mundi e djersa”- ka shkruar BSPk.

BSPK ka njoftuar se do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme ligjore e sindikale e edhe ato të fundit për të prapësuar këtë veprim.

Ajo i ka bërë thirrje edhe Qeverisë ta tërheqë këtë vendim.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që Partneri Social – Qeveria të bëjë hapin e duhur dhe të tërheq këtë vendim tejet dëmtues për demokracinë”-ka përmbyllur BSPK.

KALLXO.com e ka siguruar kopjen e vendimit të për largimin e përkohshëm nga puna të këtyre punëtorëve.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se këta punëtorë kanë bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës, se kanë keqpërdorur të drejtën për grevë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Po ashtu, në vendim punëtorët akuzohen edhe për sabotim.

Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Sot është bërë një javë nga fillimi i grevës së minatorëve të “Trepçës”.

Që kur ka nisur greva e minatorëve, disa nga grevistët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka dhënë sot dorëheqje nga kjo pozitë pas mbledhjes që ka pasur me bordin mbikëqyrës të “Trepçës”.