Komunat kërkojnë nga Qeveria që t'i procedojë urgjentisht pagat e mësimdhënësve

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ekzekutojë pagat e punonjësve të arsimit duke u shprehur e shqetësuar me vendimin e qeverisë.

Sipas AKK-së, nuk ka asnjë rast që të ketë ndalesë të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat.

“Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit. Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani…Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”, thuhet në thirrjen e AKK-së ndaj Qeverisë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar do të marrin paga në muajin shtator.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Ndërsa më 3 tetor ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2022/2023.