Kurti pret në takim kryetarin e BSPK-së, mirëpret votimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe për Paga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

Sipas komunikatës për media, BSPK ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i pakos për përballje me inflacionin.

“Duke falënderuar kryetarin e BSPK-së për bashkëpunimin në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social edhe në vitin 2023” – thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së si dhe u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.​

Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Paga në Sektorin Publik u miratuan dje në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ligji për Zyrtarët Publikë mori 58 për dhe katër abstenime.

Vota kundër nuk ka pasur ndërsa tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij projektligji.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.