Presidentja Osmani për Agim Ramadanin: Heroi emblematik i shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani në 25 vjetorin e rënies së tij.

E para e shtetit ka shkruar se Ramadani nuk ishte vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, i shndërruar në hero.

“Ai [Agim Ramadani] është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë. Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”- ka shkruar presidentja Osmani.

Heroi Agim Ramadani ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktiv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ra dëshmor më 11 prill 1999 në Koshare.