Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Osmani e Kurti bënë homazhe në 25-vjetorin e Betejës së Koshares
Në nder të 25-vjetorit të Betejës së Koshares, më 09.04.2024 u mbajt manifestimi ‘’Ditët e Shqipes’’ në Koshare të Gjakovës, nën patronatin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.
Presidentja Osmani, bashkë me kryeministrin, Albin Kurti fillimisht bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, në nderim të të rënëve për liri.
“Një kronikë e plotë kronologjike, ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares, mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së” – tha Kurti në fjalimin e tij.
Kryeministri risolli në kujtesë ngjarjet e njëpasnjëshme nga 8 deri më 11 prill, ditën kur u vra ish-komandanti i UÇK-së, Agim Ramadani, i njohur edhe si “Katana” e shumë dëshmorë të tjerë përfshirë këtu edhe tre vullnetarë nga Evropa e jo vetëm.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë luftëtarët e paepur të Betejës së Koshares dhe lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.