Foto: ZPRK

Presidentja Osmani fton homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, ta vizitojë Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përsëritur ftesën për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për një vizitë në Kosovë.

Osmani këtë ftesë e ka përsëritur gjatë takimit me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.

Sipas komunikatës së Presidencës, në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe mundësia për thellimin e mëtejmë të tyre.

“Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke kërkuar mbështetje të mëtejmë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”- thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkretë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtendosjen e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratisllavë.

“Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”- thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani prej që ka marrë detyrën ka qenë disa herë në vizitë në Turqi, ku është pritur nga homologu i saj turk Erdogan. Ndërsa Erdogan nuk ka vizituar presidenten Osmani në Kosovë që prej kur ajo ka marrë mandatin.