Volodymyr Zelenskyy Foto: President Official Websitee

Presidenti i Ukrainës bisedon me Johnson, kërkon sanksione më të ashpra

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Përmes një postimi në Twitter, Zelenskyy ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe më shumë mbështetje.

“Zhvillova bisedë me kryeministrin britanik, Boris Johnson. I raportova për rrjedhën e mbrojtjes së Ukrainës dhe sulmet tinëzare ndaj Kievit nga agresori. Sot, Ukraina ka nevojë për mbështetjen e partnerëve më shumë se kurrë. Ne kërkojmë kundërveprim efektiv ndaj Federatës Ruse. Sanksionet duhet të forcohen më tej”, tha më tej Zelenskyy.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që të ndihmojë Kievin “që të përballojë agresionin rus”.

Kurse, sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se kryeqyteti i Ukrainës ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.

Kievi përjeton natën e bombardimeve Ruse

.