Presidenca tregon se çka diskutoi presidentja Osmani me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së; Organizatën e Veteranëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve.

Në një komunikatë për media thuhet se përfaqësuesit e organizatave adresuan shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Sipas komunikatës, presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për pagën minimale ende ndodhet në Kuvend dhe se “sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës”.

“Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”- thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, Presidenca njofton se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre.

Javën e kaluar, me 60 vota, pa prezencën e opozitës në Kuvend, u miratua edhe Ligji për pagën minimale përmes të cilit paga minimale në Kosovë do të bëhet 264 euro.

Ky Projektligj ka ngjallur debat mes pozitës e opozitës prej vitit të kaluar për shkak të kërkesës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një vit më parë përmes protestave kërkonin përfshirjen e tyre në Projektligjin për pagën minimale.

Miratimi i tij ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së të cilët thanë që Ligji u miratua pa opozitën, e “në terr”.

Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së kanë kundërshtuar së fundmi votimin e pagës minimale nga Kuvendi i Kosovës, duke kërkuar që në pagën minimale të përfshihet edhe pensioni i veteranëve të luftës.

Pakënaqësitë, veteranët i shprehën të shtunën pasdite në një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.