Foto: KALLXO.com

LIVE – Zhvillimet e fundit nga protesta

18:25 – Ish-pjesëtari i UÇK-së: Për veteranët e UÇK-së hala po pyeten kriminelët serbë

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, para protestuesve tha se për veteranët e UÇK-së ende po pyeten kriminelët serbë.

“Kushdo do të kishte menduar sot se 25 vjet pas luftës do të dilnim këtu për të kërkuar liri dhe të drejtat tona. Sot, ato nuk po na mohohen nga një regjim i tmerrshëm si i Millosheviqit, por nga qeveria e shtetit, për të cilin kemi dhënë gjithçka që kishim tonën” – tha Ajeti para protestuesve.

“Dita paska ardhë – Sot jemi këtu para Qeverisë së Kosovës së pavarur që e kemi çliruar me gjak e sakrificë, e ne të cilën, për veteranet e UCK hala po pyeten kriminalët serbë, që na rrahine vrasin policët në veri. Kjo nuk na ka zënë në befasi. Sulmet e befasishme të armikut i kemi kthyer në kundërsulme. Prandaj sot jemi këtu, që me fjalën e lirë t’i japim përgjigje këtij trajtimi të padinjiteteshëm që po i prek kufijtë e tradhtisë” – ka shtuar ai.

18:20 – Çerkini: Ndihmoni veteranëve se janë në gjendje të mjerueshme

Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, ka mbajtur një fjalim para protestuesve. Ai ka folur lidhur me gjendjen e veteranëve, duke thënë se janë në gjendje të mjerueshme.

“Sot duhet me qajtë e me thanë amani ju qoftë ndihmoni veteranëve se janë në gjendje të mjerueshme, të gjitha shoqata e dala nga lufta janë në gjendje të mjerueshme” – ka thënë ai.

Tutje ai ka bërë thirrje që të jenë të gjithë të bashkuar.

“Të bashkohemi edhe të gjithë t’i kemi nga 100 vetë pas vete” – u shpreh Çerkini.

Ai po ashtu foli edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk mundesh me i rrejt më ata që i ke rrejt para dy viteve, o zotëri Kryeministër. Edhe ata janë mbushë mend me e dit kush është Albin Kurti” – tha Çerkini.

18:06 – Thirrjet e protestuesve

“Mimozë: At kallxoj “Radoja” se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës”,  “Mimozë: Ti fyej veteranët e Jabllanoviqi “nënat” e tyre” – janë disa nga pankartat që protestuesit sot po mbajnë në duar në protestës që tashmë ka filluar.

Këto pankarta po ndërlidhen me audio-inicizimet që shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur me Sllavko Simiq nga Lista Serbe në qershor të vitit të kaluar, e që u publikuan ditëve të fundit.

Përpos deputetëve të PDK-së, në protestë janë parë edhe gazetari Vehbi Kajtazi dhe ish-deputetja e LVV-së dhe PSD-së, Aida Dërguti.

Në protestë janë parë edhe deputetët e PDK-së, Rashit Qalaj, Elmi Reçica, Blerta Deliu – Kodra, Ganimete Musliu, Ariana Musliu – Shoshi dhe nënkryetarja e PDK-së shihen në protestën që pritet të fillojë prej orës 18:00.

17:45 – Nis protesta në Prishtinë

Ka nisur tashmë protesta e thirrur në lidhje me zhvillimet e fundit.

Kjo protestë është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të luftës.

Kjo protestë është mbështetur edhe nga gazetarë e opinionistë e po ashtu edhe nga disa përfaqësues të partive politike.

Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në Ligjin për pagën minimale dhe publikimi i audio-incizimeve në të cilat dëgjohet Mimoza Kusari Lila duke biseduar me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, për veteranët ka bërë që të thirret një protestë në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Për këtë protestë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reagojnë.