Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takim në Prishtinë. Foto: Zyra e Presidencës së Kosovës

Presidenca tregon se çfarë u diskutua në takimin Osmani-Rama

Presidenca e Kosovës ka treguar për temat e diskutuara në takimin e sotëm mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Samiti i NATO-s, samiti i Procesit të Berlinit, dhe situata aktuale në Kosovë e rajon, siç njofton Presidenca kanë qenë temat e takimit.

“Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit” – thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për t’i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.

Lidhur me situatën e sigurisë në veri, Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për shtendosje, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Sipas saj është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, Policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse siç thotë ajo, pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë.

“Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit” – thotë Presidenca e Kosovës.

Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Ajo ka ritheksuar rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili do t’i kontribuonte edhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Siç thuhet në komunikatë, presidentja Osmani dhe kryeministri Rama janë dakorduar që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

Kryeministri shqiptar sot ka nisur një tur ballkanik i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.