Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidenca dërgon komente ndaj propozimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Zyra e Presidentes ka njoftuar se ka dërguar komentet e saj për strukturën e re tarifore të propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në këtë dokument ata kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me propozimin e ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Gjithashtu sipas tyre, janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Republikës së Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRrE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRrE-ja ftohet që me seriozitet t’i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Afati për dhënien e komenteve ndaj propozimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike është mbyllur sot në orën 16:00.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka mbajtur sot mbledhje por që  nuk ka dhënë detaje sa i përket komenteve të Qeverisë së Kosovës dhe kohës së vendosjes së bllok-tarifës për energjinë elektrike.

Më 28 janar, ZRrE ka njoftuar se ndaj këtij propozimi kanë dërguar komente Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO. Mirëpo në këtë listë ka munguar Qeveria e Kosovës, e cila ka kohë t’i dërgojë komentet deri sot në orën 16:00.

Ditë më parë  ZRrE kishte njoftuar se palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre ndaj propozimit të ZRrE-së mund të dërgonin komentet e tyre me shkrim jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00.

Mirëpo, më 27 janar, ZRrE vendosi që të shtynte për tri ditë afatin për dërgimin e komenteve, saktësisht deri më 31 janar 2022, në orën 16:00.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.