ZRrE shtynë për tri ditë diskutimin publik për vendosjen bllok-tarifës

Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar së ka shtyrë diskutimin publik për vendosjen bllok-tarifës deri më datë 31 janar 2022 deri në orën 16:00.

ZRrE ka njoftuar se diskutimi publik është shtyrë duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik:

  • Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe
  • Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRrE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë.

ZRrE përmes këtij njoftimi ka ftuar palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRrE-së t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐[email protected].

Faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen bllok-tarifës ka qenë e planifikuar të përfundojë më 28 janar 2022.

Sot në Prishtinë është protestuar kundër kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar për të shtunën protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Kurse konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovat me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 euro apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani. Kurse, konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovat dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 euro.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.

Të shtunën përsëri protestohet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike