Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, 31 janar 2022 - Foto: KALLXO.com
ZRrE: Pas përfundimit të afatit të komenteve do të vendosim për çmimin e energjisë elektrike
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, nuk ka dhënë detaje sa i përket komenteve të Qeverisë së Kosovës dhe kohës së vendosjes së bllok tarifës për energjinë elektrike.
Ai ka theksuar se pas pas përfundimit të afatit të komenteve do të vendosim për çmimin e energjisë elektrike përmes një raporti përfundimtar.
Sot në orën 16:00 mbyllet afati për dhënien e komenteve ndaj propozimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.
“Unë po e mirëkuptoj interesimin, por sot mundemi me diskutu për temat e sotme dhe jo për temat e ardhshme. Ajo çka mund të them është se deri më 31 janar pas pranimit të komenteve do të dalim me një raport përfundimtar dhe të vendosim. Ne jemi duke e vlerësuar dhe do të ju njoftojmë për vlerësimin tonë. Ende nuk i kemi pranuar të gjitha komentet”, ka thënë ai.
Fejzullahu ka thesuar se gjatë vitit 2022 blloqet B nuk do të shkojnë në remont, pra nuk do t’iu vendosen filtrat.
“Sot do të publikohet edhe bilanci dhe aty shihet që blloqet B gjatë vitit 2022 nuk do të shkojnë në remont për shkak të vendosjes së filtrave”, tha ai.
Ditë më parë ZRrE kishte njoftuar se palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre ndaj propozimit të ZRrE-së mund të dërgonin komentet e tyre me shkrim jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00.
Mirëpo, më 27janar, ZRrE vendosi që të shtynte për tri ditë afatin për dërgimin e komenteve, saktësisht deri më 31 janar 2022, në orën 16:00.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.
Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.
Kurse, kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka thënë se beson që do të ketë mjaftueshëm komente tek ZRrE-ja që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.
“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike, kur jo vetëm zgjidhje ideale por as zgjidhje optimale nuk ka”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.