Prekazi - vendi që bashkoi shqiptarët përtej Kosovës

Pavarësisht kilometrave, qytetarë të shumtë morën rrugën për në Prekaz të Skenderajt me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarsisë së Kosovës.

Si çdo përvjetor, kompleksi memorial me 59 anëtarë të rënë familjes Jashari, tre kullat e kësaj familje, bunkeri i Adem Jasharit dhe muzeu u vërshuan nga vizitorë nga rajone të ndryshme të vendit dhe jashtë kufirit.

Për Ahmet Saliun nga Maqedonia Veriore, kjo është hera e parë që viziton Prekazin.

“Nuk kam qenë asnjëherë. Ka qenë një dëshirë e imja e madhe sepse bashkëndjejë me kosovarët dhe gjithë shqiptarët për heroizmin e familjes Jashari. Ndihem me fat si asnjëherë më parë që jam pranë gjithë këtyre njerëzve duke nderuar të rënet për lirin e Kosovës”, tha ai për KALLXO.com

Por, mes urimesh Ilaz Gashi nga Vushtrria i ulur në afërsi kompleksit me familje, u ankua lidhur me gjendjen infrastrukturore të bunderi i Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Gashi për KALLXO.com  pati një mesazh për qeverinë e re.

“Na vijmë gjithë këtu edhe në mars edhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. I uroj qeverisë së punë të mbarë se kemi qenë edhe të bunkeri atje, për 15 metra mos me u shtru që sa vjet është turp me kanë lloç”, tha ai.

Ndërkaq, Bedri Tahiri nga Galica rrëfen për KALLXO.com se për shokun e tij të shkollës – Adem Jasharin, e pakta që mund të bëhet për të dhe familjen e tij është kjo vizitë.

Foto: Kallxo.com

“Unë kam shkru edhe libër për Adem Jasharin. Shkollën e kam kry bashkë me të në Skenderaj. Për herë të fundit me të kam ndejtë pas rrethimit të dytë, kam marr fotografi – pa e ditë që do të botojë libër. Këtu vi me ndjenjë të veçantë, i la të gjitha punët”, tha ai.

Meqë e ka traditë ta vizitoi çdo përvjetor, Tahiri thotë së çdo vitë e më shumë, po rritet interesimi i qytetarëve që ta vizitojnë Prekazin.

KALLXO.com sot ka ndjekur nga afër edhe atmosferën e cila ka mbizotëruar në Prekaz – vendin prej ku nisi rezistenca e armatosur e shqiptarëve ndaj forcave të Serbisë.

Kompleksi Memorial në Prekaz konsiderohet si vendi me më së shumti vizitorë në Kosovë.

Si të shkosh deri atje?

Rreth një orë rrugë e ndan kryeqytetin e Kosovës nga qyteti i Skenderajt.

Me të arrirë atje, në rrugët kryesore të qytetit janë të vendosura disa tabela me mbishkrimin Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz që tregojnë drejtimin për këtë kompleks.

Informacione për këtë kompleks janë vendosur edhe në faqen zyrtare për vizitorë, megjithëse jo shumë  e përditësuar.

Nga qyteti i Skenderajt kompleksin e Jasharajve mund ta vizitosh edhe me një autobus ne formë të trenit.

Autobusi që çon te Kompleksi ‘Adem Jashari’.

Ky “tren” qarkullon nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë, duke përfshirë fundjavën. Një vizitori të rritur kjo i kushton 1 euro, ndërsa atyre nën 12 vjeç, 50 cent.

Çfarë sheh brenda kompleksit?

Bardhësinë e mermerit dhe modernitetin e të gjithë strukturës së memorialit e thejnë vetëm shtëpitë e Jasharajve.

Duke qenë në fund të kompleksit të rrethuar, pa arritur te këto shtëpi has një objekt në formë piramide i ndërtuar viteve të fundit për të ruajtur eksponante të familjes.

Muzeu i Kompleksit ‘Adem Jashari’

Brenda muzeut të vogël muret mbajnë histori, shpjegime, e ballina gazetash që flasin vetëm për betejën historike të Jasharajve.

Kur ul kokën nga të lexuarit e historive në mur sheh armë të burrave, lodra të fëmijëve, cigarllëk të të moshuarve e rroba të grave.

Në qoshet e muzeut qëndron edhe maxhja (objekt për mbajtjen e miellit), ku ishte fshehur Besarta Jashari, atëherë 11 vjeçe, duke i shpëtuar kështu sulmit vrasës për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes që qëlluan brenda shtëpive ato tre ditë.

Flamuj, korniza, fletushka e të tjera mund të blihen brenda muzeut që pritet të zgjerohet për të pranuar edhe të tjera eksponante.

Në këtë muze mund të takohet edhe njëri nga dy ciceronët e kompleksit. Sipas tyre, rreth 400 mijë persona vizitojnë kompleksin çdo vit. Vetëm njëri nga ciceronët flet anglishten, anipse një numër i konsiderueshëm i vizitorëve janë të huaj.

Ciceronët janë entuziast për të treguar legjendën e Jasharajve që nga pleqtë e mallëngjyer, politikanë që vijnë në përvjetore, e deri te fëmijët që sillen atje me eksursionë të shkollave.

Xhevat Imeri ka punuar si ciceron në Prekaz për 21 vite.
FOTO: Atdhe Mulla

Sa dilet përtej muzeut në të djathtë shtrihen 59 varre, të gjitha me mermer të bardhë e me shkronja të kuqe. Sipas ciceronëve, vija e dredhur e kuqe që përshkon të gjithë tokën e kompleksit, simbolizon ‘gjakun e derdhur lum’ në luftë.

Dy tashmë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovë qëndrojnë pa ndërprerë mbi këto varre për të nderuar të rënët dhe pritur vizitorët.

Përtej tyre shihen tre shtëpi të vjetra, me shumë vrima plumbash dhe të rrethuara me skele e mburojë e cila është ndërruar tre herë, që nga vendosja e saj menjëherë pas luftës, në vitin 2000.

Edhe oborri i shtëpive nuk është prekur për të treguar akoma gërmadhat me gurë e drunjë. Tre shtëpitë e ndërtuara në fillim të viteve 90, që përjetuan betejën e 1998-tës janë ende të pakonservuara.

Për mungesën e konservimit të kullave fajësohen procedurat e tenderimit. Kështu, rreziku për rrëzimin e shtëpive historike vazhdon të jetë eminent me çdo ditë që kalon.

Ndërmjet njërës nga shtëpitë dhe skeles mbrojtëse gjendet i ngjeshur një traktor me ngjyrë të kaltër. Ky traktor i familjes pritet të jetë pjesë e eksponanteve në zgjerimin eventual të muzeut.

Shenjat e mos kujdesit institucional për shumë vite, vërehen edhe në grafitet e bëra në muret e shtëpisë nga persona që e kanë vizituar vendin për 21 vitet e pasluftës. Kompleksin nuk e ruan askush.

Akomodimi dhe ushqimi rreth kompleksit

Kompleksi i mbrojtur institucionalisht nuk është i rrethuar në të gjithë perimetrin e vet. Brenda kompleksit ekzistojnë shtëpi të banuara, përfshirë ato të pjesëtarëve të tjerë të familjes Jashari.

Përreth tij, nuk vërehet interesim komercial për pritje të vizitorëve.  Në perimetër të afërt me kompleksin nuk ka vend fjetje. Megjithatë, kompleksi është i arritshëm nga hotelet që gjenden në qytetin e Skenderajt.

Modernitetit të kompleksit nuk i përshtaten edhe bizneset e vogla që e përshkojnë.  Disa dyqane shumë të vogla mbajnë pije dhe gjëra të lehta për të ngrënë.

Të tjera mini-kafiteri shërbejnë kafe (makiaton e famshme të Kosovës) dhe përgatisin ushqime kryesisht të shpejta.

Për përshtypjet e marra në kompleks, mund të shkruhet në librin e kujtimeve brenda muzeut. Në këtë libër ka shënime të shumta edhe nga vizitorë të njohur.

Më poshtë mund të lexoni edhe më detajisht për historinë e familjes Jashari.

‘Epopeja’ e Mbijetesës për Kullat Historike të Jasharajve