Borxhi mbi 30 milionë euro përplas ish-drejtorin me u.d. drejtorin e Fondit për Sigurimin Shëndetësor

Mbi 30 milionë euro ka shkuar borxhi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, që nga themelimi i tij në vitin 2014.  Por, buxheti për këtë vit për Fondin është vetëm 8 milionë euro.

Në kuadër të Fondit për Sigurimin Shëndetësor ekziston një program i veçantë i cili mbulon shpenzimet e shërimit jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend për qytetarët që kanë nevojë.

Programi për trajtim jashtë vendit ka ngjallur shumë diskutime gjatë vitit të kaluar pas publikimit të disa hulumtimeve gazetareske, ku thuhej se kishin ndodhur keqpërdorime me paranë publike.

Ky mekanizëm organizon dërgimin për shërim të qytetarëve tanë jashtë vendit por edhe koordinon rastet kur dikush duhet të shërohet me para të shtetit në spitalet private.

Pikërisht për këtë temë është diskutuar këtë të hënë në emisionin #KallxoPernime.

Bujar Kaçuri, ushtrues i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurimin Shëndetësor, ka thënë se borxhi i deklaruar në Ministrinë e Financave është mbi 30 milionë euro.

“Një pjesë e këtij borxhi është real dmth i saktësuar në bazë të vendimeve ndërsa pjesa tjetër është e evidentuar në bazë të fletëzotimeve. Borxhi i saktë do të dihet atëherë kur pacientët i kryejnë trajtimet e tyre ndërsa ato fletëzotime kthehen në vendime”, ka thënë Kaçuri.

Ai ka shtuar se shkaku i këtyre borxheve, Bordi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, ka marr vendim që të shkarkoj ish drejtorin Fatmir Plakiqi.

“Arsyetimi kryesor në këtë vendim ka qenë mosraportimi i këtyre obligimeve në MF. Në të kaluarën janë raportuar vetëm borxhet të evidentuara me vendime të cilat janë aprovuar nga bordi drejtues i fondit, vlerë e cila ka qenë shumë më e vogël. Borxhet të cilat rrjedhin nga fletëzotimet nuk janë raportuar”.

Fletëzotimi është një garancion, të cilin e lëshon drejtori i Fondit, në të cilën thuhet se fondi mbulon shpenzimet për pacientin në bazë të kritereve të dala nga Udhëzimi Administrativ, për disa kategori mbulohen 70% e vlerës së pro faturës ndërsa në rastin tjetër mbulohet në bazë të çmimit referent. Ndërsa aprovimi i shumës është kompetencë e bordit ekzekutiv për trajtim jashtë vendit.

Pra fletëzotimi lëshohet në bazë të pro-faturës më të lirë.

Drejtori i shkarkuar i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi në #KallxoPernime, ka thënë se gjithçka që është folur ndaj tij në media është e pavërtetë dhe për këtë ka përgatitur një dosje të cilën e ka dërguar në polici.

“Unë Bujarin e kuptoj pasi që është pjesë e Fondit ky flet me direktiva të bordit drejtues sepse me atë kusht edhe është caktu në këtë pozitë”, ka thënë Plakiqi.

Ndërsa Kaçuri ka thënë se nuk dëshiron që ta degradojë debatin pasi që ai nuk ka vendosur për shkarkimin e Plakiqit.

Sipas ish-drejtorit, Plakiqi, në vazhdimësi është kërkuar që të përditësohet një Udhëzim Administrativ që rregullon organizimin e punës në Programin për shërim jashtë vendit, por asnjëherë nuk ka ndodhur.

“Çdo vit janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë drafte finale për të rregulluar këtë program. Ne kemi kërkuar që fillimisht të analizohen diagnoza nuk kryhen në shërbimin klinik universitar të Kosovës dhe me një analizë të tregut brenda dhe jashtë Kosovës se sa do të kushtonte kjo diagnozë dhe me buxhetu saktë sa do të duheshin për t`i mbuluar këto diagnoza”, ka thënë Plakiqi.

Sipas Plakiqit, SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e ka futur Fondin në borxhe.

“Kur vjen një pacient, apo familjar për të dorëzuar kërkesën për rast urgjent, neni 2 pika 2 e udhëzimit administrativ në fuqi thotë, të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të marrin shërbime shëndetësore në klinikat publike ata kanë të drejtën e aplikimit në FSSH, për t’ia mundësuar trajtimin jashtë këtyre klinikave. Asnjëherë nuk është buxhetu sa ka nevojë. Pra unë nuk i kam fut në obligime por këtë e kanë thënë vetëm sa për ta arsyetuar vendimin ndaj shkarkimit tim”, ka shtuar ai më tej.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit dhe ish drejtori i këtij institucioni kanë pasur debat të ashpër rreth suficitit të mjeteve.

Plakiqi ka thënë se suficiti i mjeteve tregon menaxhim të dobët.

“Thotë i kem borxh 30 milionë, por na kanë shku mjetet suficit e ke mujt me pagu borxhin”, tha Plakiqi.

Ndërsa Kaçuri ka thënë se ato mjete kanë shkuar në kuletën e shtetit.

“Nuk je ti në pozicion me ma vlerësu menaxhimin. As s’ka lidhje përvoja jote. Edhe nuk është fer se po ta dija që Plakiqi është në debat unë nuk do të merrja pjesë”, ka thënë Kaçuri.

Ai ka shtuar se gjatë verifikimit të këtyre lëndëve nga ana e bordit drejtues janë vërejtur një mori shkeljesh, ka pasur rritje të çmimeve, mos respektim të kritereve që rrjedhin nga udhëzimi administrativ, e të cilat janë evidentuar për hetim në polici.

“Janë rritur çmimet sepse nuk janë marr për bazë raportet mjekësore dhe vlerat financiare të cilat janë faturu dhe ka pasur tejkalim të kritereve të udhëzimit administrativ. UA e përcakton shumë qartë edhe nëse ne lëshojmë fletëzotime, të cilat nuk përbëjnë vlerë të saktë financiare, UA e përcakton sa mund të jetë ajo vlerë minimale e aprovuar, pra unë nuk kam mundur t`i shpik këto borxhe”, ka thënë Kaçuri.

“Deklarimet e këtyre borxheve nga ana e ish kryesuesit të bordit për trajtim jashtë vendit, Alban Pozhegu, Fatmir Plakiqi kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj tij, ka thënë Kaçuri, duke shtuar që ka qenë dëshmitar i këtij rasti.

Ndërsa Plakiqi e ka mohuar këtë, duke thënë se është sulmuar për shkak se sipas tij ai ka tentuar që t`i heq nga Fondi barnat.

“Kur kam shku në Fond në vitin 2018 asnjë zyrtar nuk ka ditur që të më tregoj se si është çështja me kontratat e barnave në Fond. E kam bërë data-bazën e evidentimit të të gjitha kontratave kemi parë që shumica e tyre janë të tejkaluara e shumë të tjera me çmime abuzive që i kemi drejtuar edhe në prokurori”, ka thënë Plakiqi.

Ai ka shtuar se me heqjen e barnave nga Fondi, zyrtari i prokurimit atëherë në këtë institucion, Alban Pozhegu ka filluar sipas tij me fushatë denigruese kundër tij.

“Që nga ai moment (kur i kam heq barnat), Alban Pozhegu në mënyrë sistematike ka shpifur ndaj meje”, ka thënë Plakiqi.

Kallxo.com kishte realizuar një emision për sinjalizuesit javës që shkoi.

Në emisionin #KallxoPernime, avokati, Korab Sejdiu ka treguar që qe tri vite ka filluar ta trajtoj rastin e zyrtarit të prokurimit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili kishte sinjalizuar drejtorin e këtij e institucioni duke pretenduar që ishte vënë nën trysninë e tij për të nënshkruar një kontratë ekonomikisht më të pafavorshme për buxhetin e Kosovës.

Bëhet fjalë për Alban Pozhegun, për të cilin kishte raportuar Kallxo.com. Ai kishte respektuar të gjitha procedurat e ligjit për sinjalizim, fillimisht kishte raportuar tek zyrtari për këtë çështje në FSSH, por ky i fundit nuk e kishte proceduar lëndën.

“Zanafilla ka qenë tek nënshkrimi i një kontrate e cila ka qenë më e shtrenjta e që zyrtari i prokurimit kishte refuzuar ta nënshkruaj sepse nuk ka qenë më e favorshme për institucionin. Pozita e sinjalizuesit ishte pezulluar dhe kjo kontratë ishte nënshkruar”, ka thënë Sejdiu.

E përjashtuan nga puna pasi lajmëroi parregullsi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Për këtë Plakiqi të hënën në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se është taktikë e Pozhegut që të luaj viktimën.

“Ai e luan rolin e viktimës dhe shkruan letra sa të mundet me dhanë përshtypjen që është perfekt. Unë nuk e kam larguar nga puna për sinjalizim sepse ai ka sinjalizuar ndaj meje që nga 2018-ta, por e kam larguar nga puna për kanosje. Unë as nuk do të dilja në debat me të sepse ai është shpifës, matrapaz”, ka thënë Plakiqi.

Por deklaratat e Plakiqit i ka mohuar Alban Pozhegu me anë të një përgjigjeje me shkrim.

Ai ka thënë se konfliktet me Plakiqin kanë nisur që kur ky ka nisur ta ngris zërin për transferin e tij të kundërligjshëm në fond.

“Deklarata që unë kam qenë pjesë e grupit të barnave është shpifje dhe mënyrë e frikësimit të sinjalizuesve. Procedurat për barna në fond i ka kryer Ministria e Shëndetësisë ku unë nuk kam pasur vendimmarrje. Unë kam qenë zyrtar në fond dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me procedurat e tenderimet të barnave. E gjithë fushata ndaj meje ka nisur kur unë kam tentuar ta ndaloj keqpërdorimin e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë, gjë që është konstatuar edhe nga OSHP”, ka thënë Pozhegu në një përgjigje me shkrim.

Ai gjithashtu e ka mohuar ta ketë ofenduar ish drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqi.

“Rastin për kërcënim në polici e kam denoncuar unë, ndërsa z. Plakiqi e ka denoncuar dy ditë më vonë. Unë jam i pafajshëm në atë rast, nuk e kam ofenduar z. Plakiqin në atë rast këtë e kam sqaruar në polici në prezencë të avokatit. Në vendimin për largimin tim nga puna nuk përmendet asnjë kanosje, por arsyetimet e kota se unë nuk e kam kryer punën dhe kam shpërndarë informacione të pasakta të cilat realisht kanë qenë vetëm sinjalizime për abuzimet në fond”, ka shtuar më tej Pozhegu.

Ndërsa për deklaratën që Plakiqi e quan Pozhegun “matrapaz”, sipas këtij të fundit është vetëm frikësim dhe njollosje ndaj sinjalizuesve të ndershëm.

“Ofendimi i sinjalizuesve me terma si ‘matrapaz’ është shkelje e rëndë e cila nuk do duhej të ndodhte në vendin tonë”, ka përfunduar Pozhegu.

 

“Supremen” e ka quajtur, Kaçuri ish drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Debat i ashpër është zhvilluar mes ushtruesit të detyrës së drejtorit të Fondit të sigurimeve shëndetësore dhe ish drejtorit të këtij institucioni, Fatmir Plakiqi.

Kaçuri në #KallxoPernime, ka thënë se një vlerësim që e ka bërë Ministria e Financave e ka konstatuar mospërputhshmëri të deklarimeve financiare.

Përderisa Plakiqi ka thënë se e di përse dhe si është bërë ky konstatim.

“Meqë je kaq superman dhe po i din të gjitha pse s`je duke i rregulluar të gjitha çështjet”, ka thënë ndër tjerash Kaçuri.

E Plakiqi ka kërkuar të ketë kujdes për mënyrën se si qaset ndaj tij.

“Ki kujdes si flet me mua, mos përdor terma të aktorëve”, ka thënë Plakiqi.

 

Pse shumica e pacientëve shkojnë në Turqi për t`u shëruar?

Prej vitesh, shteti i Kosovës garanton shërim jashtë institucioneve publike qytetarëve që nuk kanë mundësi mbulimin e shpenzimeve.

Për këtë, një Udhëzim Administrativ në kuadër të Fondit për Sigurimin Shëndetësor, ka paraparë edhe një listë me sëmundjet të cilat nuk shërohen në spitalet tona publike e për të cilat, varësisht nga sëmundja, shteti mbulon shpenzimet.

Udhëzimi administrativ thotë se pacientët kanë të drejtë të zgjedhin spitalin se ku dëshirojnë të trajtohen.

Shumica e pacientëve zgjedhin spitalet e Turqisë për t`u trajtuar. Sipas ish drejtorit të fondit këtë e kanë bërë për shkak se nuk kërkohet vizë.

“Shumë pacientë në momentin që kanë përzgjedhur një spital në Gjermani, ky vend e ka rregull që pa e bërë pagesën për pacientin, as terminin për vizë nuk mund ta bësh, rrjedhimisht nuk mund të aplikosh për vizë. Edhe në Maqedoni ka pasur shumë raste ku janë trajtuar pacientët por edhe në Kosovë”, ka thënë Plakiqi.

Valon Fana gazetar në Kallxo.com ka thënë se barra për të gjetur spitalin për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore i bie familjarëve të pacientëve andaj ata shkojnë në agjensionet që janë hapur afër Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Mua po më duken këto si agjensione turistike me ofertat më të mira kush i ka dhe ai do me kry hallin e vet, pra shteti ja ka lënë në dorë pacientëve të merren me këto çështje”, ka thënë Fana,

Ai ka folur edhe për një marrëveshje mes Kosovës dhe Turqisë për dërgimin e 100 pacientëve për shërim në Turqi pa kosto shtesë. Ai tha se jo çdo herë është plotësuar numri prej 100 pacientëve.

“Në vitin 2009, Kosova dhe Turqia kanë lidhur një marrëveshje e cila i siguronte Kosovës 100 pacientë për shërim në Turqi, falas. Ajo çfarë kam pa unë nga të dhënat, është se jo gjithë herë janë dërguar 100 pacientë për shërim në Turqi, pra falas dmth nuk është plotësuar 100 për qind numri. Pse shteti nuk i kanë dërgu 100 pacientë, kjo do t’i kursente miliona euro buxhetit” – ka thënë ai.

 

Plakiqi: Për shkarkimin tim ka ndikuar Ministria e Shëndetësisë tek Bordi i Fondit

Ish drejtori ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se ka ndikuar te Bordi i këtij institucioni për ta shkarkuar nga pozita.

Ai në emisionin #KallxoPernime ka shtuar se Bordi ka ftuar edhe mediat pasi që sipas tij ata e kanë planifikuar më herët shkarkimin e tij.

“I ka thirr mediat paraprakisht që pritni ju këtu se ka m`u marr vendimi për këtë, dmth i ka ndiku edhe anëtarët e bordit, kjo është mirë me e ditë edhe opinioni. Ministria e Shëndetësisë i ka thënë anëtarëve të bordit se ju do të votoni pro shkarkimit të këtij nga pozita e drejtorit”, ka thënë Plakiqi.

Ndryshe më 2 shtator të vitit të kaluar, Bordi i Fondit kishte njoftuar se ia kishte shkëputur kontratën, Fatmir Plakiqit.

Bordi Drejtues i Fondi të Sigurimeve bën të ditur se ndërprerja e kontratës së punës Fatmir Plakiqit, është bërë për shkak të mos përmbushjes së kënaqshme të detyrave të punës.

“Në respektim të dispozitave ligjore dhe pas përmbushjes së afateve të përcaktuara me ligj, Bordi Drejtues i Fondit për Sigurim Shëndetësor, në mbledhjen e mbajtur me datë 1 shtator 2022, ka nxjerrë vendim përfundimtar, me të cilin  përfundimisht i shkëputet kontrata e punës Fatmir Plakiqi”- thuhej në njoftim.

 

Fondi i Sigurimit Shëndetësor ia shkëput kontratën Fatmir Plakiqit