Policia zbulon depon me 1031 çokollata me datë të falsifikuar të përdorimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në një depo për furnizim me shumicë, përmes një aparati, janë ndryshuar datat e përdorimit për 1031 çokollata.

Aksioni, sipas forcave të rendit, është koordinuar me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pronari i depos po dyshohet për veprën “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, në bashkëpunim me Inspektoratin e AUVK (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës) dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në depon për furnizim me shumicë të artikujve ushqimor, pronë e të dyshuarit mashkull kosovar,  kanë gjetur gjithsejtë 1031 çokollata në të cilat dyshohet se ka pasur ndërhyrje (falsifikim) në datën e përdorimit” – thuhet në njoftim.

Aparati i cili është përdorur për ndryshimin e afatit të përdorimit është sekuestruar ndërsa është iniciuar rasti i cili do të trajtohet në koordinim me organet e drejtësisë.