Policia ne Lagjen e Boshnjakeve. Foto: KALLXO.com

Policia vazhdon monitorimin e situatës në "Lagjen e Boshnjakëve" në Mitrovicë të Veriut

Ekipe të Policisë së Kosovës janë parë sonte duke monitoruar situatën në “Lagjen e Boshnjakëve” që gjendet në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë ditës në këtë zonë është raportuar për thyerje të xhamave të disa lokaleve, për të cilat ngjarje Policia ka filluar hetimet, ndonëse ishte treguar se nuk ka pasur ndonjë person që ka raportuar këtë ngjarje.

Besim Hoti, zëvendësdrejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale Mitrovica – Veri ka treguar për KALLXO.com se rasti ka filluar të hetohet.

“Jo, nuk është raportu, tash janë dërgu Policia me i kërku pronarët e mundshëm si ankues për me iniciu rastin” – ka thënë ai.

Tutje Hoti ka treguar se nuk është i sigurt nëse janë dy apo tri lokale që janë dëmtuar.

Ekipi i KALLXO.com gjatë ditës ka qëndruar në këtë lagje dhe ka parë lokalet e dëmtuara, ndërsa në orët e para të mbrëmjes janë parë ekipet e Policisë duke monitoruar situatën.

KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës edhe në pika të tjera të zonës veriore të vendit, ku rrugët vazhdojnë të jenë të mbyllura nga barrikadat, përderisa pranë tyre kanë qenë të vendosur ekipet e KFOR-it.

Në njërën nga këto pika, në atë në Zupçë të Zubin Potokut, sot është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve, përderisa Policia ka treguar se deri më tani janë nëntë barrikada të vendosura në zonën veriore të vendit.

Rrugët e komunave veriore të Kosovës që nga 10 dhjetori janë bllokuar nga barrikadat që u vendosën e që bënë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimeve kufitare që lidhin vendin me shtetin fqinj – Serbinë.

Edhe përkundër kërkesave të shumta të institucioneve vendore e edhe të ndërkombëtarëve, barrikadat tash e dhjetë ditë nuk janë larguar. Madje, çdo ditë e më shumë janë shtuar barrikada të reja.

Bllokimi i rrugëve erdhi pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për organizim të sulmeve në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, ku edhe ishin sulmuar zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarët e Policisë.

Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Prishtinës për kryerje të veprës penale terroriste.

Përpos bllokimit të rrugëve të veriut të Kosovës, në këto barrikada shpeshherë janë parë edhe qytetarë që janë mbledhur në shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit.

Qytetarë të mbledhur me flamuj e thirrje nacionaliste në duar e disa nga ta edhe me maska në fytyrë, u panë duke protestuar ditën e djeshme në pikën kufitare Jarinje në anën e Serbisë.

Protesta e thirrur në ‘mbështetje të serbëve të Kosovës’ kishte filluar në orën 13:00 dhe kishte përfunduar pas më pak se tri orëve.

Protestuesit, që nuk dukeshin më shumë se 100 persona, gjatë protestës, në një moment ia mësynë edhe kufirit për të hyrë në Kosovë, mirëpo të njëjtit u ndalën nga kordoni i Njësisë Speciale të Policisë serbe.

Gjatë protestës së tyre njëri nga ta edhe u arrestua, madje në pamjet që u shfaqën drejtpërdrejt nga protesta u pa edhe një mjet që u shpërthye.

Në po këtë pikë kufitare në anën e Kosovës misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR kishte krijuar një kordon me blinda dhe tela me gjemba. KALLXO.com mësoi se në Jarinjë ishin vendosur trupat amerikane të KFOR-it, ndërsa në Bërnjak ishin vendosur polakët dhe letenozët.

Pas përfundimit të protestës, KFOR kishte treguar se kanë pasur informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinjë.

Tensionet në veri filluan të shtohen që nga 5 nëntori 2022 kur në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e gjyqësor.

Dita e 10-të e barrikadave në veri të Kosovës – Pamje nga veriu (kallxo.com)