Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia shqipton mbi 1,600 gjoba trafiku në rajonin e Ferizajt gjatë muajit maj

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit maj 2026 ka shqiptuar gjithsej 1 mijë e 635 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara rrugore.

Policia sqaroi se ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”.

Sipas Policisë, kjo fushatë moton kryesore e kishte “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.

Tutje, organet e rendit bëjnë apel për shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe ta përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës, sepse sipas tyre “një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”.

Ndërkaq, për çdo shkelje të hasur në komunikacion, Policia theksoi se duhet të raportohet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

“Policia Rajonale e Ferizajt, gjatë muajit maj 2026, ka shqiptuar gjithsej 1635 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projekt-fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton kryesore: “Mos e mat jetën me kilometra në orë.”” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.