(Arkiv) Policë të Kosovës në veri të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Policia: Po i trajtojmë me seriozitet informacionet për rrëmbimet e qytetarëve serbë në veri nga strukturat kriminale

Policia e Kosovës ka thënë se janë duke i trajtuar me seriozitet informacionet për rrëmbimet, rrahjet e keqtrajtimet e qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Përmes një njoftimi, Policia ka thënë se janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre rasteve.

“Kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ka krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale. Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka vendosur sot postblloqe në rrugën Mitrovicë-Leposaviq.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo është bërë për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.

Janë bërë 12 ditë që kur rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që të çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të bllokuara.Vendosja e barrikadave ka filluar më 10 dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ai dyshohet se organizatoi sulmet e 6 dhjetorit që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës. Ndaj të njëjtit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Pamje nga personat e maskuar në veri të Mitrovicës