Policia nis hetime ndaj vëllait të ish-drejtorit të Policisë

Arber Qalaj, vëllai i ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj, është duke u hetuar nga Policia pasi dyshohet për veprën penale – sulm.

Në përgjigjet për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka thënë se më 15 maj të këtij viti, rreth orës 16:20, përmes telefonit ka pranuar një ankesë ku është thënë se Qalaj ka sulmuar një person në fshatin Surqinë të Ferizajt.

Policia në raportin përshkrues për rastin ka thënë se arsyeja e sulmit është mosmarrëveshja mes dy palëve se cili t’ia lëshojë rrugën tjetrit.

Mirëpo, ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj dhe vëllai i tij, e mohojnë të ketë ndodhur diçka e tillë.

“Sipas vëllait tim ai i ka sha dhe nuk kanë pasë as kontakt fizik, as kurrgjë. Mirëpo e keqja është që vëllai i ka ndjekë”, ka thënë për KALLXO.com ish-drejtori i Policisë, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar dhe me vëllanë e deputetit Qalaj, i cili gjithashtu ka mohuar të ketë pasur kontakt fizik me palën ankuese.

“Unë jam kanë me kerr duke e çu gruan në punë, personi tjetër o kanë me një kerr me kali me dru, ma ka zanë rrugën, i kam mshu borisë, ai pak u ngut edhe na pak u ngutëm dhe do me thanë aty për aty dhe absolut nuk ka pasë rrahje as kurrgjë diçka të madhe. Edhe me dashtë me pasë diçka unë jam me probleme shëndetësore nuk mundem”, ka thënë Arber Qalaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Policia ka thënë se ngjarja ka ndodhur pak para se pala ankuese të arrinte në shtëpi, me ç’rast është takuar me të dyshuarin, ku dhe kanë pasur një mosmarrëveshje.

“Ankuesi derisa kishte qenë duke shkuar në shtëpi me kerr me kali, diku para shtëpisë së tij ishte takuar në një veture ku ishin fjalosur me të dyshuarin nga fshati Mirash, se cili t’ia lëshojë rrugën tjetrit”, ka thënë Policia për KALLXO.com.

Tutje është thënë se në ditën kur ka ndodhur ngjarja, 10 minuta pas raportimit të rastit, në stacionin policor në Ferizaj kanë filluar procedura dhe është iniciuar rasti – sulm’.

Pas kësaj, në orën 18:10 në po të njëjtin stacion ankuesi N.B. ka deklaruar me shkrim se është sulmuar nga personi i dyshuar.

Sipas Policisë, ankuesi ka deklaruar se personi i dyshuar është i njohur për të.

10 minuta pas deklaratës me shkrim të viktimës, në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar dhe Arber Qalaj.

Gjithmonë duke iu referuar përgjigjeve të Policisë, për incidentin është njoftuar prokurori kujdestar dhe është marrë autorizimi për inicim të rastit penal – sulm, dhe që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

I gjithë raporti i incidentit, sipas Policisë, ka përfunduar në ora 19:00.

Neni 184 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës parasheh dënimet që mund të ndërmerren në raste të sulmit.

Paragrafi 1 i këtij neni thotë se kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Paragrafi 2 thotë se kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni është kryer me përdorimin e armës, mjetit të rrezikshëm apo ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.

Tutje, paragrafi 3 thotë se kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet ndaj viktimës së ndjeshme ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura, kryesi dënohet me:

3.1. burgim deri në tre vjet për veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni; ose

3.2. burgim prej një deri në tre vjet për veprën penale nga paragrafi 2 i këtij neni.

Ndërsa, paragrafi 4 thotë se gjykata mund t’i shqiptojë vërejtje gjyqësore kryesit nga ky nen, nëse kryesi provokohet nga sjellja çnjerëzore dhe e vrazhdë e të dëmtuarit.