Armatimi që u gjet në Vlorë. Screenshot: Policia e Shtetit

Vlorë, konfiskohet sasi e madhe armësh e municionesh

Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë në Vlorë me mbështetjen e Forcës Speciale “RENEA” kanë zhvilluar një operacion të koduar “Knock Out 6”.

Përmes këtij operacioni Policia e Shtetit ka goditur një bazë armatimi që furnizonte grupet kriminale me armë në qytetin e Vlorës.

Siç është njoftuar operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 07.03.2024 në rrethinat e Vlorës dhe në qytet.

Përmes këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit L.D. nën dyshimin se posedonte një arsenal armësh, municionesh luftarake dhe lëndë shpërthyese për llogari të tij dhe të personave të tretë, që sipas Policisë janë anëtarë të një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, të cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale.

Policia e Shtetit renditi edhe armët e pajisjet e tjera që u gjetën gjatë operacionit të sotëm, e të cilat janë:

– Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62 milimetra, e montuar në gjendje luftarake, me silenciator (zhurmëmbytës),

– Pjesë përbërëse të armëve luftarake, për formimin e 2 armëve të tjera zjarri pushkë snajper,

– Një armë zjarri pistoletë, e markës “Zastava” kalibri 10 milimetra, dhe 2 krehra me fishekë të po këtij kalibri,

– Një armë pistoletë-stilolaps me ngjyrë bronzi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 milimetra,

– Një armë e futur në këllëf, e kalibrit 12 milimetra, prodhim Rus,

– Dy kuti plastike me material ndihmëse për mirëmbajtjen e armëve snajper,

– Minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë kallëpe me lëndë eksplozive plastik të kapaciteteve 200 dhe 400 gram,

– Katër silenciatorë me trup metalik me ngjyrë të zezë për armë të gjata,

– Një dylbi optike termike me ngjyrë ushtarake, me gjatësi 41 centimetra me shikueshmëri natën,

– Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi,

– Dy palë dylbi optike vëzhgimi,

– Aksesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit,

– Një kuti plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë kalibri 9 milimetra,

– Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 milimetra dhe 45 krehra automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri,

– Një sasi e madhe fishekësh kalibri 12 milimetra,

– Disa mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, ndezëse granatash dore,

– Disa celularë që do t’i nënshtrohen ekspertizës,

– Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin, me karikuesin e saj në valë të DVP Vlorë

– Një pajisje me antenë,

– Njësi qendrore kompjuteri dhe DVR,

– Një numër i madh targash automjetesh dhe celësash të ndryshëm automjetesh,

– Disa maska me ngjyre të zeze dhe maska silikoni me formën e kokës së njeriut,

– Disa fenelina policie dhe veshje te ndryshme.

Policia e Shtetit ndau edhe pamje të aksionit e po ashtu mbajti edhe një konferencë për media lidhur me këtë rast.

.