Policia në Prishtinë sekuestron armë pa leje

Policia në rajonin e Prishtinës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në tri raste të ndara, në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Hajvali ka sekustruar tri armë.

Sipas njoftimit, në rastin e parë i cili ka ndodhur rreth orës 09:15 në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, policia ka ndaluar një veturë dhe pas kontrollit të ushtruar ka gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit TT, me tetë fishekë.

“I dyshuari, J. R, 38 vjeçar është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej”, njofton policia.

Tutje, policia ka sekuestruar një armë tjetër në Fushë Kosovë, si rezultat i një pune të suksesshme hetimore në rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm të ndodhur më 28.12.2020 në rrugë “Nora Kelmendi” në Fushë Kosovë.

“I dyshuari përderisa ishte në lëvizje me veturën e tij kishte shtënë në ajër. Progresi hetimor ka mundësuar identifikimin e të dyshuarit, B. Z, 23 vjeçar, i cili është arrestuar dhe dërguar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se në këtë rast ka gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit ZORAKI , e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.

Në rastin e tretë i cili ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në Hajvali, policia ka bërë të ditur se ka ndaluar një veturë, brenda të cilës ka gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit CZ, me 14 fishekë.

SIpas policisë, i dyshuari për këtë rast V. G, 27 vjeçar është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej.