Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia me statistika për armët që konfiskon bazuar në kontrolle të makinave

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur disa statistika të konfiskimit të armëve pa leje gjatë kontrolleve në makina.

Sipas policisë, bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë janë pajisur me Polisa të sigurimit mbi 204 mijë vetura.

Policia në njoftim thekson se vetëm në vitin 2022 gjatë kontrollit të makinave ka konfiskuar 1,473 armë, kurse në vitin 2023 (janar-korrik) 636 armë, të cilat nuk janë gjetur vetëm në makina.

“Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”- thuhet në njoftimin e policisë.

Derisa, vetëm mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të Operacionit ‘Goditja’ janë kontrolluar 2,049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura, sipas policisë, janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).

Policia thekson se bazuar në numrin e makinave që kontrollohen, përqindja e armëve që konfiskohen është një në disa qindra vetura.

“Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”- thekson policia.

Përmes këtij njoftimi policia potencon se me të dhënat e ofruara, nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje, nuk pretendohet të minimizohet kjo dukuri e të relativizohet, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje.

Këto statistika të policisë erdhën pak orë pas deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se çdo e dyta ose treta veturë në Prishtinë pas mesnatës është e armatosur.

Rama ka deklaruar se këto informata i ka nga Policia e Kosovës.

Rama: Kam informata se pas mesnatës, çdo e dyta ose e treta veturë në Prishtinë është e armatosur