Rama: Kam informata se pas mesnatës, çdo e dyta ose e treta veturë në Prishtinë është e armatosur

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ka informacione nga Policia e Kosovës, se pas mesnatës në kryeqytet çdo e dyta ose e treta veturë që kalon nëpër rrugët e kryeqytetit është e armatosur.

Këtë deklaratë Rama e dha në një takim me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj të mërkurën, duke komentuar rastin e javës se kaluar në Prishtinë, pasi pas të shtënave me armë në lokalin “Bon Vivant” vdiq një person e u lënduan dhjetëra të tjerë.

“Kam informata, të cilat i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren?” – është shprehur Rama, duke shtuar se institucionet duhet të jenë të rrepta për këto raste.

I pari i Prishtinës ka shtuar se menjëherë pas ngjarjes që ndodhi të premten, ka kërkuar takim me drejtorin e Policisë, po ashtu edhe me prokurorin dhe kryeprokurorin.

“Kemi mbërri që të takohemi menjëherë të shtunën me drejtorin e Policisë, kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi një bashkëpunim shumë të mirë, kam marrë informata nga ta se çka po ndodhë në aspektin e sigurisë” – ka deklaruar Rama.

Ndërsa, të hënën ai thotë se është takuar me Kryeprokurorin e shtetit, pasi sipas tij ky është një problem i ndërlidhur në mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës.

“Kemi raste sikur kjo që ka ndodhë, ku një person që ka përmbi 50 padi, sillet i lirë edhe me armë, dhe ka qasje të lirë kudo që don, përkundër faktit që ai para 4 muajsh kishte bërë një problem tjetër po të njëjtin vend” – ka folur për të dyshuarin që kishte shtënë me armë zjarri në rastin e “Bon Vivant”, Andi Pajaziti.

Si rezultat, Rama tha se kanë vendosur që këto takime të jenë të rregullta në mes të institucioneve të sigurisë dhe Komunës së Prishtinës, në mënyrë që siç shprehet ai, tash e tutje të mos ndodhin raste të tilla.

Rama ka shprehur nevojën për Policinë e Kryeqytetit, ku drejtori i kësaj policie të ketë raportim të drejtpërdrejtë me kryetarin për shkaqe të ngritjes së sigurisë dhe të tjera.

17 persona të plagosur e lënduar kanë mbetur mbrëmjen e së premtes, më 4 gusht, në lokalin “Bon Vivant” i cili gjendet në rrugën “Xheladin Hana” në kryeqytet.

Njëri nga plagosurit për shkak të plagëve të rënda ka vdekur mëngjesin e datës 5 gusht.

Sipas policisë, dyshohet se plagosjes i parapriu një mosmarrëveshje brenda lokalit në mes të disa personave të dyshuar.

Menjëherë pas kësaj mosmarrëveshje gjithmonë sipas policisë, janë përdorur edhe armët e zjarrit e që si pasojë janë plagosur persona të cilët policia i ka identifikuar si të dyshuar.

Në lokal pati edhe thyerje të gotave e shisheve të qelqit, nga të cilat lëndime morën 17 persona prej tyre 3 burra dhe 14 gra.

Të gjithë të plagosurit dhe lënduarit u dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).