Policia konfirmon se në barrikada në veri gjatë natës qëndrojnë persona të armatosur

Shefi i Operacioneve i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë natës ka persona të armatosur në barrikadat e vendosura në komunat në veri të Kosovës.

Hoxha në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se këta persona posedojnë armë të gjata.

“Policia e Kosovës jo vetëm ditëve të fundit por edhe më herët ka pranuar informacionet nga shërbime të saja që në barrikada gjatë orëve të mbrëmjes ka persona të maskuar, të rrezikshëm dhe po ashtu që posedojnë armë me vete”- ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se këto armë mund të përdorën ndaj Policisë dhe qytetarëve në atë pjesë.

“Bëhet fjalë për armë të gjata dhe armë të tjera që mund të përdorën ndaj Policisë dhe ndaj qytetarëve të tjerë që mund të kalojnë në atë zonë”- ka thënë ai në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”.

Hoxha tutje ka thënë se Policia e Kosovës ka informacione se ekzistojnë lista me emra të njerëzve që detyrohen të dalin në barrikada.

“Policia e Kosovës ka informacione që dërgojnë në atë që ka lista se cilët njerëz detyrohen me dalë në barrikada qoftë në orare të caktuara, ndërsa gjatë natës janë të armatosur”- ka thënë ai.

Ai thotë se “këta njerëz janë të përkrahur nga qarqe politike në Beograd dhe në Serbi”.

Lidhur me identifikimin e këtyre personave, Hoxha ka thënë se Policia duhet të jetë e rezervuar për informacione.

“Policia e Kosovës ka informacione të cilat do t’i adresojë gjatë fazës së hetimeve të gjithë ata që janë të involvuar në këto barrikada”- ka thënë ai.

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kanë bllokuar.

Janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në këto katër komuna që përpos cenimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve kanë bërë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimit kufitar që lidhin Kosovën me Serbinë, atë në Jarinjë dhe në Bernjak.

Më 18 dhjetor, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.