Kurti për heqjen e barrikadave: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë, s’ka garancion për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë për heqjen e barrikadave në veri të vendit.
Ai ka deklaruar se ka pasur takime me KFOR-in dhe EULEX-in e ambasadorët e QUINT-it, për situatën në veri.
“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë, ka pasur takime me KFOR-in dhe me EULEX dhe takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të SHBA-së, me ç’rast vazhdimisht kemi thënë që durimi edhe i qytetarëve dhe i Qeverisë po shteron andaj ne i japim sa më shumë kohë e hapësirë KFOR-it por, kjo nuk mund të jetë e pafundme”- ka deklaruar Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Më tej, kreu i ekzekutivit ka thënë se nuk ka pasur garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të hiqen barrikadat në veri.
“Nuk ka garancione të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i duan komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë në një asociacion. Me këtë mendësi e cila nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviqi, e as nga e tashmja e tyre Putini, nuk mund të bëhet fjalë për garancione të tilla”- tha ai.
Gjatë ditës së djeshme ka filluar heqja e barrikadave në rrugët në veri të Kosovës.
Heqja e tyre ka përfunduar sot.
Barrikadat ishin vendosur më 10 dhjetor nga serbët e veriut në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për organizim të veprave terroriste dhe cenim të rendit kushtetues, pas sulmeve gjatë të cilave janë përdorur edhe granata dore e armë zjarri kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve të Kosovës.
Vendimi për heqjen e barrikadave është marrë nga presidenti i Serbisë në takimin me serbët e veriut të Kosovës, të mbajtur të mërkurën në mbrëmje në Rashkë.
Ky vendim erdhi pasi autoritetet e Kosovës e ndryshuan masën e sigurisë ndaj Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.