Automjetet e KFOR-it te Kershi i Dudës (Shkëmbi i Dudës) në Zveçan
KFOR publikon pamje nga largimi i barrikadave të fundit në veri të Kosovës
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë publike pamje nga largimi i barrikadave në veri të Kosovës.
Sipas një njoftimi zyrtar nga KFOR është bërë me dije se me këtë veprim është rivendosur liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në rajon.
“Njësitë inxhinierike të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja kanë përfunduar largimin e automjeteve të rënda të cilat po bllokonin rrugët në veri të Kosovës. Është rivendosur liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në rajon” – ka thënë KFOR.
Tutje është thënë se do të mbesin plotësisht të fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tyre të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
Kjo, sipas KFOR, do të bëhet me qëllim për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“KFOR-i është plotësisht i përgatitur për çdo zhvillim të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, dhe vazhdon të ofrojë kornizën e sigurisë për të çuar përpara dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në njoftim.
Barrikadat u vendosën në veri të Kosovës më 10 dhjetor 2022 në lokacione të ndryshme në zonën veriore të vendit që është e banuar me shumicë serbe.
Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish zyrtarit policor serb Dejan Pantiq, të cilit sot iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë pasi i njëjti dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.
Largimi i barrikadave kishte filluar më 29 dhjetor 2022, pas njoftimit për ndryshim të masës së sigurisë ndaj Pantiq nga oaraburgimi në arrest shtëpiak.