BE: Situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë, palët të ruajnë qetësinë
Bashkimi Evropian vlerëson se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë.
Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali, në një konferencë për media tha se BE ka mirëpritur largimin e barrikadave dhe sipas saj, situata në veri të Kosovës ende mbetet e brishtë.
“Ne e kemi mirëpritur de-eskalimin e tensioneve dhe largimin e barrikadave në veri të Kosovës. BE-ja ka pasur një rol aktiv për të arritur këtë, në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe me KFOR-in. Situata mbetet e brishtë dhe presim nga palët të ruajnë qetësinë, të evitojnë veprimet që kanë potencial për të kthyer përshkallëzimin apo dhunën. Misioni ynë EULEX po vazhdon të monitorojë situatën”- ka thënë Massrali.
Ajo u shpreh se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë treguar se sa e rëndësishme është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve.
“Kjo nënkupton edhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të dialogut, pa vonesa, duke filluar me rikthimin e serbëve të Kosovës nëpër institucione dhe fillimin e diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. BE do të vazhdojë që të punojë me të dyja palët për këtë çështje dhe njoftimi për takimin e radhës patjetër do të shpallet kur të jetë e përshtatshme”- shtoi ajo.
Më 29 dhjetor ka nisur largimi i barrikadave në veri të Kosovës.
Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë kishte mbajtur në Rashkë me serbët e veriut të Kosovës.
Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste.
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë dhe kundër policëve të Kosovës.