Edi Rama për barrikadat: Asgjë e re, në fund të gjithë u kthyen në shtëpi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës duke theksuar që shfaqja zgjati ca më shumë dhe manovrat ushtarake patën ca më shumë hov por në fund të gjithë u kthyen në shtëpi.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë”- ka shkruar Rama në Twitter.
Sipas tij, në ato rrethana të bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës barrikadat ishin paqësore ndërsa deklaratat armiqësore.
“Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes”- shkroi ai në Twitter.
Tutje Rama shtoi se përmes kësaj doli kuptimi i ri i barrikadës duke theksuar që pas 434 vjetësh kjo hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE-së dhe SHBA-së.
“Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare” – shkroi Rama.