Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policia jep detaje për kanosjen e ekipit të gazetarëve në Leposaviq

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me kanosjen e ekipit të gazetarëve të telelvizionit T7 përderisa ishin duke raportuar në Mosnicë, Leposaviq.

Sipas Policisë, gazetari ka raportuar se derisa ka qenë me dëshmitarin, dy persona të panjohur me një veturë në lëvizje u janë vënë mbrapa dhe gjatë ndjekjes dyshohet se njëri nga të dyshuarit ua kishte drejtuar armën dhe duke i bërë me shenjë që të ndalen.

Ekipi i gazetarëve sipas policisë kishte vazhduar deri te një njësi policore e cila ishte në detyrë në pikë kontrolli tek ura e Bistricës.

“Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime nga njësitet policore” – thuhet në njoftim të policisë.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur reagim edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“AGK-ja, e dënon ashpër sulmin dhe alarmon për pasigurinë me të cilën ballafaqohen ekipet e gazetarëve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në veri” – thuhet në reagimin e AGK-së.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, makina me të cilën po udhëtonte ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj, ishin sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut ihste sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta ishin hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.