Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia inicion dy raste të kontrabandës dhe kalimit ilegal të kufirit në veri

Në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e veprave të kundërligjshme e në veçanti kontrabandës dhe kalimit ilegal te kufirit, Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës, më 19.03.2024, ka iniciuar dy raste.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 19:00. Derisa njësia policore ishte duke e realizuar një patrullim rutinor, ka ndaluar një veturë me targa të huaja, të cilën ishte duke e  drejtuar i dyshuari M.V (1993), shtetas serb.

“Policia e Kosovës kishte informacione paraprake për këtë automjet, si i dyshuar për aktivitete ilegale të kontrabandimit me mallra dhe gjatë kontrollimit të veturës është gjetur mall i kontrabanduar; vegla pune dhe ngjyra të ndryshme, për të cilat nuk është dëshmuar dokumenti mbi prejardhjen. Automjeti me mallin e kontrabanduar është dërguar në Terminalin Doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme, ndërsa ndaj vozitësit janë ndërmarr veprimet policore lidhur me kalim ilegal të kufirit”, – thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Sipas po këtij raporti, edhe rasti i dytë ka ndodhur të martën (19.03.2024), me ç’rast nga njësiti policor përmes kamerave të sigurisë është vërejtur një automjet duke hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Njësitë policore kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme duke ndaluar veturën BMW ngjyrë e zezë me targa te huaja të cilën e drejtonte vozitësi A.H (2002) shtetas serb.  Vetura dhe personi janë dërguar ne stacionin policor per procedura te zakonshme qe zbatohen ne këto raste”, – thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.