Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policët pengohen e sulmohen gjatë detyrës zyrtare

Gjatë ditës së djeshme në dy komuna të Kosovës Policia e Kosovës është sulmuar dhe penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në Prishtinë në rrugën Fahri Fazliu, policia e ka arrestuar një person i cili e ka sulmuar zyrtarin policor që ishte në kryerje të detyrës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar  (zyrtari policor) i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, duke u marr me një rast të parkimit të pa rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Edhe në fshatin Banjë të Istogut, policia e ka arrestuar një person pasi i njëjti pas shqiptimit të një tikete për mosrespektim të orarit të lëvizjes ka penguar zyrtaret policorë gjate kryerjes së detyrës zyrtare.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.