Dorëheja e policëve në veri

Policët e rinj në veri, Policia: Konkurset janë në proces

Që nga nëntori i vitit të kaluar, një numër i zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rajoneve të ndryshme po shërbejnë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Kjo pasi para 8 muajve më shumë se 500 policë që i përkisnin komunitetit serb në mënyrë kolektive dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Që nga atëherë, Policia e Kosovës ka filluar procedurat për plotësimin e numrit të zyrtarëve policorë që do të shërbejnë në veri të vendit. Proces ky që është ende në zhvillim.

Nga nëntori i 2022-ës, PK ka hapur tri konkurse në total për pranim të zyrtarëve policorë.

Sipas disa përgjigjeve që ky institucion ka dhënë për KALLXO.com, dy nga konkurset në fjalë ishin shpallur vetëm për pranimin e policëve që do të shërbenin vetëm në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut.

“Policia e Kosovës nga muaji Nëntor 2022 e deri me sot ka shpallur 3 konkurse për pranimin e zyrtarëve policor. Dy konkurse janë shpallur për pranimin e zyrtarëve policor për Drejtorinë Rajonale në Mitrovicën e Veriut” – ka thënë PK.

Tutje në përgjigjet e Policisë është thënë se bëhet fjalë për konkursin e hapur nga data 4 janar 2023 deri me datën 10 shkurt 2023, ku numri i kadetëve që do të fillonin shkollimin e tyre për tu bërë policë parashihej të ishte 80 deri në 90 të tillë.

Më pas, nga Policia ishte hapur edhe konkursi i dytë i veçuar për zyrtarë të PK-së në veri. Konkursi kishte qenë i hapur nga data 18 prill 2023 deri me datën 30 maj 2023.

Para pak ditëve, saktë me datën 6 korrik 2023, është shpallur edhe një konkuri i përgjithshëm për pranimin e zyrtarëve policorë për të gjitha komunitetet në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Policisë.

“Konkurset e lartshënuara janë ende në proces dhe Policia e Kosovës do të pranojë zyrtarë policorë sipas nevojave operative dhe strukturës organizative të Policisë së Kosovës” – tha PK.

Situata e tensionuar në veri të vendit ka bërë që prezenca e policëve, një numër prej tyre nga rajonet e tjera, të shtohet në këtë zonë.

Zyrtarë të njësive të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato speciale operative e intervenuese, u panë në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

Vendimet e Qeverisë që nuk u pëlqyen nga komuniteti serb, mbajtja e zgjedhjeve të reja pas dorëheqjes së ish-kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, betimi e vendosja e tyre në ndërtesat komunale tensionoi situatën.

Banorët e kësaj zone në vazhdimësi kanë protestuar duke kërkuar largimin e kryetarëve të rinj e po ashtu edhe largimin e zyrtarëve policorë nga ndërtesat komunale.

Më 11 korrik 2023, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian janë marrë vesh për shtensionim të situatës në veri përmes disa hapave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Një ditë më vonë, kryeministri i vendit Albin Kurti ka njoftuar se si do të zbatohet në dy javët në vazhdim dakordimi i Bratislavës, për shtensionim të situatës në veri, që u arrit mes zv.kryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Kurti ka thënë se arritja e kësaj marrëveshje tregon gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe rajon.

Sipas kalendarit të publikuar nga kryeministri, në javën e parë parashihet që Qeveria e Kosovës të shpallë publikisht gatishmërinë për të punuar në drejtim të shtensionimit të situatës, duke përfshirë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve brenda dhe rreth ndërtesave komunale.

Kurti publikon kalendarin dhe planin për shtensionimin e situatës në veri