Seanca 26.01.2024, Dëshmitar Sami Shalaj, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com
'Kanë bo hajgarë me neve, k`ta janë për pushkatim fill' - Dëshmia e dëshmitarit në gjykimin për krime lufte
Sami Shalaj është dëshmitari i radhës i cili u dëgjua në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Ekrem Bajroviq, në Gjykatën e Prishtinës.
Bajroviq akuzohet se ishte pjesë e forcave policore dhe ushtarake serbe të cilat kishin ndaluar një kolonë me civilë shqiptarë në maj të vitit 1999, dhe i kishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e kolonës.
Ata ishin dërguar në një shtëpi, në të cilin kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë, vetëm një prej të cilëve kishte mbijetuar i plagosur, thotë aktakuza.
Dëshmitari i sotëm dha detaje lidhur me momentet kur e kishte parë të akuzuarin, ku e kishte parë, çfarë uniforme kishte pasur të veshur, e mbi të gjitha çka i kishte thënë vet i akuzuari dëshmitarit.
Ai rrëfeu para gjykatës edhe për majin të vitit 1999, ku ushtria serbe e kishin ndarë nga kolona atë dhe shumë të tjerë civilë shqiptarë dhe i kishin dërguar tek një magazinë në fshatin Zallç të Istogut, e aty ai tha se ushtarët serbë kishin bërë shaka me civilët.
“Bojshin hajgare me neve, thojshin “Kta janë për pushkatim “fill”- tha para gjykatës Shalaj.
Këtu, dëshmitari rrëfeu se i kanë detyruar të qëndrojnë në këmbë me duar lart.
E po në fshatin Zllaç, dëshmitari e kishte parë të akuzuarin Ekrem Bajroviq.
Bajroviqin e përshkroi se e kishte parë me uniformë policore ngjyrë të kaltërt dhe për të njëjtin tha se kishte pasur armë.
Ai tha se të akuzuarin e kishte njohur si “Ekremi i Vitomericës” (nga prejardhja e tij), kurse nuk e kishte parë më prej asaj dite, as pas luftës.
Dëshmitari dha edhe një detaj interesant gjatë dëshmisë së tij.
Sipas tij gjersa ishte duke hipur në kamionin e destinuar për t’i dërguar në burgun e Gurakocit, i akuzuari i ishte drejtuar dëshmitarit në gjuhën serbe “Qysh nuk t’pava më herët”.
Këtë fjalë, dëshmitari ishte i bindur se ia kishte thënë atij, dhe sipas mendimit të tij ia ka thënë në kuptimin “për ta liruar”.
Ai shtoi se nuk e ka parë të akuzuarin ta ndërmerrte ndonjë veprim apo fjalë ndaj njerëzve që ishin aty.
Pas qëndrimit në këtë fshat ata ishin transferuar me kamion në burgun e Gurrakocit, në të cilin ai tha se dhuna kishte vazhduar në burg dhe ishin bastistur edhe aty.
Në seancën e kaluar kishte dëshmuar Naim Elshani dhe kishte thënë se e kishte parë të akuzuarin brenda dyerve të oborrit.
“Ekrem Bajroviqi ka qenë në sekonda kur e kam parë, ka qenë afër dyerve të oborrit, brenda oborrit. Ai ka qenë momenti kur e kam parë të pandehurin ngase e kam njohur shumë mirë. Uniformë luftarake ka pas. I armatosur ka qenë, me kallash ka qenë, shumë mirë më kujtohet, arma ka qenë kallash jugosllav më duket”- kishte thënë Elshani.
Adem Geca, i cili para Gjykatës në seancën e 20 dhjetorit të vitit të kaluar prezantoi një foto të tij në të cilën shihej ai i përgjakur pas rrahjes gjatë kohës së luftës.
“Të kam pasë thënë që kemi me u pa një herë unë dhe ti” – i ishte drejtuar ai të akuzuarit gjatë seancës. “220 arsimtarë janë të përgjakur kështu, gjithnjë ka qenë prezent, a unë jam viktimë e këtij direkt” – kishte shtuar Geca.
Çka thotë Dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?
Aktakuza thotë se në fshatin Staradran, më 8 maj të vitit 1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndaluar nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht, atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, iu ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilin kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë, vetëm një prej të cilëve kishte mbijetuar i plagosur.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurrakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc.
Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psiqike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.
Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina, kurse rastin po e gjykon gjyqtari i Departamentit Special, Mentor Bajraktari.