Dëshmitari Naim Elshani në gjykimin ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte | Foto: KALLXO.com
“Kam thënë 'O Zot largom prej këtyre kufomave'" – Dëshmitari rrëfen në gjykimin për krime lufte
Naim Elshani është dëshmitari që u dëgjua sot para trupit gjykues në gjykimin e Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 në zonën e Istogut.
Në dëshminë e tij, Elshani ka rrëfyer një moment kur ka parë të pandehurin dhe një person me emrin Ahmet.
“Ekrem Bajroviqin ka qenë në sekonda kur e kam parë, ka qenë afër dyerve të oborrit, brenda oborrit. Ai ka qenë momenti kur e kam parë të pandehurin ngase e kam njohur shumë mirë. Uniformë luftarake ka pas. I armatosur ka qenë, me kallash ka qenë, shumë mirë më kujtohet, arma ka qenë kallash jugosllav më duket” – shtoi Elashani.
Elshani në vazhdën e rrëfimit tha se u kërcënua nga një person që kishte sopatë dhe thikë me vete.
“Ka pas një sopatë dhe një thikë dhe thoshte “kam me ua pre krytë nëse iu gjej diçka në xhepa”, ai u drejtua në gjuhën shqipe. Sa unë kam mund me identifiku ai ka qenë paramilitar” – deklaroi Elshani gjatë dëshmisë së tij në gjykatë.
Elashani tregon se në atë kohë e pati bërë një lutje.
“Thash o zoti im, të lutem, nëse ka zot më ndihmo. Nëse ka thënë Zoti me vdekë, amin kam ba. Në sekondat e fundit kjo ka qenë lutja në heshtje. Nuk më ka dëgju askush, vetëm Zoti dhe unë. As nuk kam ndi krismë, as nuk kam ndi dhimtë, pa vetëdije kam ra në tokë. Nuk e di sa kam qëndru, një orë apo dy” – tha Elshani para trupit gjykues.
Tutje ai tregoi se çka ndodhi pasi që i erdhi vetëdija.
“Kur më erdhi vetëdija, më kishin pas gjujtë mbi kufoma. I kam dëgju disa zëra, kam qenë në një rrugë pa asfalt dhe kam dëgju lëvizje. Nuk kam guxu me lëviz përafërsisht gjysmë ore. Kam thënë “o Zot largom prej këtyre kufomave”. Ishte tmerr, një kufomë e kisha pas përmbi” – rrëfeu tutje Elashani.
Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 – 1999, në Komunën e Istogut si dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Aktakuza thotë se në fshatin Staradan, me datë 8 maj të vitit 1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë meshkujt nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht, atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.
Përgjatë kësaj, sipas aktakuzës, iu ishin drejtuar me fjalët “Ku e keni NATO – n” e “ku e keni UÇK – në”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilin kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë, vetëm një prej të cilëve kishte mbijetuar i plagosur.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnerjëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc.
Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psiqike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.
Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina, kurse rastin po e gjykon gjyqtari i Departamentit Special, Mentor Bajraktari.
Akuza për krime lufte në Istog, Ekrem Bajroviq nuk e pranon fajësinë