Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën
Petkoviq i reagon presidentes Osmani, ia përmend Asociacionin
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dy herë në 24 orët e fundit.
Petkoviq ka thënë se “kur Osmani përmend shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, me siguri i referohet Asociacionit”.
“Kur Vjosa Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me siguri i referohet Bashkësisë së Komunave Serbe në K&M. Detyrimet e Pishtinës në këtë drejtim janë përshkruar në 6 paragrafët e parë të marrëveshjes dhe deri më sot, 10 vjet më vonë, rezultati është ZERO”- ka shkruar ai në Twitter.
Tutje Petkoviq ka thënë se deklaratat e presidentes Osmani janë absurde.
“Guximi i Vjosa Osmanit të predikosh dikë për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit është absurd, por absurditeti është fjala më e mirë për të përshkruar filozofinë politike në Prishtinë. Zgjedhjet e djeshme sapo e konfirmuan këtë”- ka shkruar tutje ai.
Audacity of @VjosaOsmaniPRKS to preach someone about violations of the Brussels Agreement is absurd, but absurdity is the best word to describe political philosophy in Pristina. Yesterday’s elections just confirmed that.
2/2— Петар Петковић (@PetkovicPetar) April 24, 2023
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në pak se 24 orë, Serbia i ka shkelur dy nene të marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht të Planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i njohur si Plani franko-gjerman.
Përmes një postimi në Twitter ajo ka thënë se pavarësisht marrëveshjes, Serbia mbetet ajo e vjetra.
“Në më pak se 24 orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit: 1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2) 2. Lobimi dhe votimi kundër aplikimit të Kosovës në KiE (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër” ka shkruar ajo në Twitter.
Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për raportet Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.
Aneksi kërkon që Kosova sa më shpejt të filloj hapat për formimin e asociacionit.
Marrëveshja bazë është bërë publike pas takimit të 27 shkurtit.
Më 2 maj është paralajmëruar që në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, takim i cili do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në këtë takim është paralajmëruar se mund të prezantohet një draft i asociacionit.