
Sa i pasur është Arben Vitia?
Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion e ka bërë me 27 janar, në kohën kur ishte vetëm deputet.
Ai ka deklaruar se ka në pronësi të tij vetëm një shtëpi 250 metra katror, e cila është trashëgimi.
Këtë shtëpi të cilën e ka në emër të tij, Vitia e ka vlerësuar me 150 mijë euro.
Vitia më bashkëshorten e tij kanë një truall prej 1/4 e 60 ari, i cili ka vlerë më shumë sesa shtëpia e trashëguar.
Këtë pronë në AKK ministri i Shëndetësisë e ka vlerësuar me 250 mijë euro.
Familja Vitia në pronësi ka dy vetura, njëra e tipit ‘Mazda’, e cila është në emër të ministrit dhe ka vlerën 12 mijë euro, dhe një veturë të tipit ‘Suzuki’ e cila ka vlerën 15 mijë euro dhe është në emër të bashkëshortes.
Ministri Vitia ka thënë që nuk posedon ndonjë aksion në ndonjë kompani. Përderisa aktualisht në një nga bankat e Kosovës ka të deponuara 1 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka 500 euro.
Vitia ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka një detyrim financiar në vlerë prej 22 mijë e 500 eurove.
Vitia ka deklaruar se të vetmen pozitë e ka atë të deputetit (tani të ministrit) ku edhe merr pagë mujore prej 1 mijë e 460 euro.
Ndërsa bashkëshortja e tij ka dy vende të punës, një në ShSKUK nga e cila të hyra vjetore i ka 10 mijë e 950 euro, si dhe një në kolegjin UBT, ku merr para në vlerë prej 1 mijë 723 euro.
Arben Vitia është zgjedhur ministër i Shëndetësisë më 3 shkurt të këtij viti.
Në vitet 2013-2018 ka qenë drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës.