Foto: Aleksandar Vuçiq, Instagram

Përveç kryenegociatorëve, Lajçaku u takua edhe me Vuçiqin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takim sot në Bruksel.

Ky takim është zhvilluar në ditën kur Lajçak ka mbajtur takime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Lajçak e ka quajtur të dobishëm takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të shtendosur situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”- tha Lajçak.

Ndërsa, Vuçiq ka thënë se ata folën për rundin e fundit të bisedimeve dhe mënyrat për të qetësuar situatën e tensionuar.

“Me Lajçak fola për rundin e fundit të bisedimeve teknike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për të qetësuar tensionin në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”- ka shkruar Vuçiq në rrjetin social Instagram.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka folur për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Bislimin dhe Petkoviqin.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka njoftuar se kanë diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut.

“Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtendosjen e situatës në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”- ka thënë ai.

Lajçak deklarohet pas takimeve më Bislimin e Petkoviqin

Takim i sotëm vjen pas dakordimit të javës së kaluar të cilin e arriti zëvendëskryeministri Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bratisllavë të Sllovakisë për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

Dakordimi nënkupton zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarët e komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.