Përmbushja e premtimeve nga qeverisja e Gazmend Muhaxherit në sigurinë publike

Gazmend Muhaxheri kur po garonte edhe për një mandat për të parin e Komunës së Pejës është pyetur në “Debat Pernime” lidhur me planet e tij në sigurinë publike.

Planet e Gazmend Muhaxherit ishin për shtimin e numrit të psikologëve në shkollat e Pejës.

Komuna e Pejës i ka gjithsej 32 shkolla.

“Për psikolog nëpër shkolla, na këtë herë kemi pasur konkurs me i punësu 3 psikolog nëpër shkolla. Jemi mundu që stafin e tepërt që e kemi, kur të pensionohet mos me punësu sekretar ose zëvendësdrejtor por me kriju me punësu psikolog, që secila shkollë me pas psikolog” – ka thënë Muhaxheri.

“Me vendim të Ministrisë për vitin tjetër na është premtu që do t’i kemi gjashtë vende të punës për psikolog, dhe nëse ka vullnet me të mirë qeveria dhe mendon me investu më shumë në arsim atëherë duhet me rrit numërin e psikologëve nëpër shkollave, të cilët kanë me i ndihmu së pari fëmijëve por edhe personelit arsimor në krijimin e sjelljeve më të mira nëpër shkollat tona” – kishte thënë ai.

Pas dhjetë muajve qeverisje, KALLXO.com ka kërkuar raportin nga Komuna e Pejës.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Naser Gega për KALLXO.com ka deklaruar se sëfundmi kanë angazhuar tre psikologë.

Përveç kësaj, Gega ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat për rekrutimin edhe të 11 psikologëve të tjerë.

“Procedurat për tre psikologë kanë përfunduar në javën e kaluar janë mbajtur testet dhe intervistat, janë përzgjedhë kandidatët edhe kanë fillu punën këtë javë [17 tetor 2022]. Dy janë për shkolla fillore dhe një në gjimnaz. Ka psikologë, numri nuk ka qenë i kënaqshëm, rreth gjashtë kanë qenë. Mirëpo tash i kemi shpallë procedurat të hënën [17 tetor 2022] për 11 psikologë të ri” – u shpreh ai.

Më të këtë numër të psikologëve, ai thotë se arrijnë që t’i mbulojnë mjaftë mirë shkollat.

“Me këtë 11-shin na thuaja e mbyllim ciklin e gjithë psikologëve në shkolla. Në mesin e këtyre 11 psikologëve, është kërku edhe për çerdhen e fëmijëve, që dallon prej hera të tjera. Drejtorati vendos në cilat shkolla kanë me shku, për shkak se në shkolla të mëdha shkon një psikolog. Shkollat e vogla që nuk kanë numër të madh, një psikolog i mbulon dy shkolla, dy ditë aty, tri ditë aty, është e rregulluar mirë, në këtë drejtim mendojmë së qëndrojmë më mirë se komunat tjera”  – tha ai. 

Më datën 20 korrik 2022, Komuna e Pejës ka shpallur konkurs për psikolog në shkollat fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, “28 Nëntori” në Raushiq, dhe në shkollën “Ramiz Sadiku”. 

Më tej, drejtori i DKA-së, Naser Gega për KALLXO.com ka deklaruar se kanë mbajtur një takim me Policinë e Pejës ku kanë diskutuar për sigurinë në shkolla.

“Policia i ka të rregullta aktivitetet në shkolla të Pejës, qoftë për bullizëm ose ngacmime seksuale, dhe kanë rezultuar shumë të suksesshme, jo më larg se javën e kaluar kemi pasur të premten një takim me drejtorin regjional të Policisë në Pejë, me Fadil Gashin zyrtar që mbanë ligjërata të tilla, drejtora të shkolla të mesme dhe një drejtor të shkollës fillore ku ka komunitet heterogjene, dhe ligjërata e tilla kanë rezultu të suksesshme sepse ka informacione të pjesshme” – tha ai.

Sipas drejtorit Gega, nga ky takim është ardhur në përfundim që policët civil të shpeshtojnë vizitat nëpër shkolla.

“Tema ka qenë siguria në shkolla, secila shkolla kemi dhënë mendimet tona se çka duhet punuar më tepër që të ngritët, policia përmes civilëve do të ketë qarkullim ma tepër nëpër shkolla, mbikëqyrja e veturave se a po shkojnë në shkollë, se ka edhe kalimtar të veturave, lirimi i trotuareve afër shkolla, nëse dikush ka qasje agresive të regjistrohet e të trajtohet sa më shpejtë” – tha Gega.

Lidhur më ketë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Policinë e Pejës.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar se kolonel Shaban Shala ka zhvilluar takim pune në ambientet e drejtorisë komunale të arsimit në Pejë, me drejtorin e kësaj drejtorie Naser Gega, drejtorët e shkollave të mesme të larta dhe kryetarin e këshillit të prindërve në Pejë.

Takimi sipas Gashit është mbajtur më datën 13 tetor 2022.

Sipas tij, në takim është biseduar lidhur me zbatimin e planit operativ  “Siguria në shkolla” 2022/23,  si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të DKA-ve dhe Policisë në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative.

“Nga drejtoret e drejtorive komunale të arsimit, është premtuar bashkëpunim me Policinë për sigurinë në shkolla, dhe takimet e  nivelit të tillë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Në momentin që e vlerësojnë drejtorët e shkollave, dhunës në familje, substancat nëse derjtoria e përgjithshme në bashkësi e iniciativë” – ka thënë zyrtari për media në Policinë e Pejës, Fadil Gashi.