Foto: KALLXO.com

Përfundon protesta në sheshin ‘Skënderbeu’

Pas afër gjysmë ore, qytetarët që u mblodhën për të protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë filluar që të shpërndahen.

Ata gjatë kësaj proteste në vazhdimësi patën thirrje të ndryshme për dorëheqje të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e po ashtu u dëgjuan brohoritje të shumta “Poshtë Qeveria”.

Gjatë protestës nuk është raportuar për ndonjë incident, e fjalime para turmës mbajtën Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur – Bajram Çerkini , ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Avni Ajeti e edhe djali i një veterani – Dominik Pllashniku.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Ajeti kërkoi që Ligji për Pagën Minimale të mos dekretohet, e po ashtu u tha se nëse diçka e tillë nuk ndodhë, protestat do të vazhdojnë.

Prezent në protestë kishte pjesëtare të partive politike opozitare, gazetarë e opinionistë.

Mos=përfshirja e veteranëve të UÇK-së në Ligjin për pagën minimale dhe publikimi i audio-incizimeve në të cilat dëgjohet Mimoza Kusari Lila duke biseduar me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, për veteranët ka bërë që të thirret një protestë në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Për këtë protestë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reagojnë.