Përfundon protesta e serbëve në veri

Protesta e serbëve në Rudarë të Zveçanit e cila ka filluar sot rreth orës 12:00 tashmë ka përfunduar dhe pjesëmarrësit e protestës janë ftuar të shpërndahen.

Qytetarët serbë janë mbledhur në Rudarë të Zveçanit pas thirrjes që bëri i ashtuquajturi ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ për të protestuar.

Në disa prej pankartave që janë mbajtur nga serbët gjatë protestës në Rudarë shkruhet “Kurti, Kosova nuk është paja jote por është toka e gjyshërve tanë”, “Doktorët nuk janë kriminelë”, “Kurti nuk mund ta ndalësh popullin”, “Nuk dua të hesht për terrorin e Kurtit”, “Kurti na kërcënon me vrasje, Evropa heshtë”, “Nuk kam lindur fëmijë për snajper të Kurtit”.

Protesta në Rudarë, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com
Protesta në Rudarë, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Grupe të personave të maskuar janë parë gjatë ditës së sotme në protestën e mbajtur pak metra larg barrikadës së vendosur tash e 13 ditë në atje pjesë dhe në disa lokacione të tjera te veriut.

Persona të maskuar janë parë gjatë gjithë kohës këto dy javët e fundit në pjesën e veriut të Mitrovicës.

Qytetarët të shumtë janë parë duke marrë pjesë në këtë protestë, përderisa rrugës për deri tek lokacioni ku po mbahet protesta janë parë vetura të shumta.

Po ashtu, përgjatë rrugës janë parë edhe disa autobusë, targat e të cilëve janë të Beogradit.

Për këtë protestë është e njoftuar edhe Policia e Kosovës, të njëjtët kanë thënë se sipas detyrës zyrtare do të kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës sot apeloi për kujdes të shtuar në këtë protestë si dhe bëri thirrje që të protestohet në mënyrë të qetë.

Policia apeloi për kujdes të shtuar e vëmendje në protestën që do mbahet në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë angazhimet policore janë bërë për të ofruar siguri ndaj qytetarëve si dhe është bërë ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Që nga 10 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga barrikadat.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Me vendosjen e barrikadave u mbyllën me vendim të Policisë së Kosovës edhe dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me vendin e saj fqinj, Serbinë.