Përfaqësues të OJQ-ve serbe në Kosovë kritikojnë Qeverinë për aksione që "rrisin tensionet dhe shkelin lirinë e medias"

Përfaqësues të Qendrës për Paqe dhe Tolerancë (CPT), të Radio Gorazhdevcit dhe organizatave të tjera serbe të shoqërisë civile në Kosovë, në një konference për medie kanë kritikuar Qeverinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në lidhje me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se “paraqesin shkelje flagrante të lirisë së medieve dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj shoqërisë civile”.

Miodrag Miliceviq, përfaqësues i organizatës joqeveritare ‘Aktiv’ u shpreh se në dy vitet e fundit janë rritur rastet e aksioneve që ua kanë veshtirësuar gjendjen si komunitet.

“Kosova ka synim integrimin në Bashkim Evropian dhe aty përfshihet elementi i të drejtave të njeriut. Në vitet e fundit në publik kemi treguar për telashe me të cilat ballafaqohemi, por shumë pak janë marr parasysh, e sidomos në dy vitet e fundit ku e kemi një pasqyrë shumë të rëndë të serbëve në Kosovë. Kemi problem si të ruajmë komunitetin dhe si të lidhemi me institucionet që janë shkëputur dhe me shumicën shqiptare”- u shpreh ai.

Nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë, Vladan Trifiq foli për aksionin e policisë në këtë qendër dhe se çfarë funksioni ka zyra e tyre në Prishtinë, afër stacionit policor.

Sipas tij, ministri Sveçla ka spekuluar dhe më pas ato janë marrë si të mirëqena nga ana e mediave, duke e pasqyruar këtë qendër si vend me veprimtari ilegale.

“Kjo qendër në Prishtinë është ndër më të vjetrat në Kosovë ku ofrojmë ndihmë për komunitete të ndryshme. Për momentin fushata mediale dhe akuzat drejt kësaj organizate na kanë krijuar frikë dhe pasiguri për shkak të spekulimeve dhe deklarimit të ministrit të Punëve të Brendshme për punën kinse ilegale të organizatës tonë”- shtoi Trifiq.

Ministri Sveçla pati deklaruar se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së kishte konfirmuar se organizata “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve dhe pas “bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”.

“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, pati shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Trifiq-it, aktualisht në Prishtinë jetojnë 7 serbë të moshuar dhe aty marrin aktivitet humanitar. Shërbime shëndetësore, sipas tij, në të njëjtin vend kanë marr edhe pjesëtarë të Policisë.

“Kjo zyrë në 2009 është transferuar në Graçanicë dhe tani funksionin si qendër për komunitet për serbët e mbetur në Prishtinë, siç është e vërtetë se janë dhënë shërbime shëndetësore si matja e sheqerit dhe shtypjes. Këto shërbime u janë dhënë edhe disa pjesëtarëve të Policisë, por këtë ministri nuk e ka përmendur”- tha më tej ai.

Ai madje theksoi se para se të hynte policia, ministri Sveçla, në kabinetin e tij kishte folur me një prej mjekeve të kësaj qendre.

“Le të tregojë zoti Sveçla çfarë ka biseduar me doktoreshën që punon më këtë qendër”- shtoi ai.

Sipas tij, nuk është hera e parë që u janë ekspozuar presioneve, siç i ka quajtuar ai.

“Ministri nuk ka kontaktuar një herë për pronësinë, por ka akuzuar rëndë e me tendencë. Aty është futur edhe njësia për forenzikë”- shtoi më tej Trifiq.

Sipas tij, vetëm tri media të Prishtinës i kanë pyetur se çfarë po ndodhë.

Derisa, Darko Dimitrijeviq nga Radio Gorazhdec u shpreh se më 2 shkurt kanë përjetuar diçka shumë të ulët nga ana e policisë.

“Pamë njësi speciale që kanë zënë komplet sheshin në Gorazhdec dhe ka nisur bastisja e zyrave e cila është në Shtëpinë e kulturës. Policë me armë të gjata, ‘pancirë’ e gjithë ato pajisje u futën dhe kontrolluan. Kjo zgjati 5 minuta dhe më pas janë larguar. Kam një përshtypje të hidhur pasi na kanë kërcënuar se nuk guxojmë të bëjmë foto apo video”- deklaroi ai.

Ai shtoi se janë trajtuar si të mos ishin media dhe se rastin do ta raportojë në Inspektoratin Polcior dhe në organizatat që merren me të drejta të njeriut.

Në lidhje me aksionet e policisë në Gorazhdec, Osojan dhe në Videjë, ministri Sveçla pati deklaruar se se po bëhen për fuqizim të institucioneve të Koosvës.
“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj.
Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, pati shkruar Sveçla.

Ndërsa, Jovana Radosavljeviq nga Nova Iniciativa përmendi disa kërkesa që kanë përpiluar për qeverinë dhe ndërkombëtarët.

“Të gjitha veprimet/aksionet pa rregullim të statusit të komunitetit serb do shihen si eskalim; Qeveria duhet të ndalë veprimet e njëanshme dhe me efekt diskriminues dhe të nis krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; Qeveria duhet të veprojë në bazë të problemeve që shfaq komuniteti- aksioni pa konslutim nuk është mënyra se si krijohet besimi; deklarimet e Qeverisë që rrisin tensionet etnike duhet të ndalen; si dhe mediat duhet të punojnë për të zbutur tensionet që nxitë qeveria dhe të njoftojnë publikun përmes bashkëpunimit me mediat serbe”, janë mesin e kërkesave të adresuara.

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të dielën se ndihet i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë së fundmi, dhe i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

Në javët e fundit, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna paralele serbe – katër në rajonin e Dragashit dhe tri në atë të Pejës.