Uran Ismaili Foto: PDK

PDK: Sot u bë 1 vit prej kur Qeveria Kurti e Hoti e futi Kosovën në krizë ekonomike e politike

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kujtuar rezultatin e zgjedhjeve të para plot 1 viti, ku Vetëvendosje kishte dalë e para, LDK e dyta e PDK e treta.

“Sot, pas një viti, populli sheh se me çfarë mashtrimi, inate dhe ekstremizmi është qeverisur Kosova me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike.”, tha sekretari i PDK-së, Uran Ismaili në konferencë për media.

Ismaili lavdëroi partinë e tij për opozitarizëm.

“Si opozitë, kemi iniciuar komisione parlamentare për hetimin e vjedhjeve në pandemi, për hetimet në privatizim që nga koha e pasluftës, si dhe udhëheqim komisionin parlamentar hetimor për hidrocentralet”, u shprehë Ismaili.

“Sot, e jetojmë realitetin e atij paralajmërimi tonë, ku ende qytetarët, me dy Qeveritë, edhe atë Kurti, edhe këtë Hoti, nuk kanë arritur ta ndjejnë dorën e shtetit në tejkalimin e kësaj krize”, shtoi ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ismaili tha se PDK do të vazhdojë të punojë në opozitë, duke qenë në shërbim të popullit.

“PDK në opozitë do të vazhdojë të denoncojë abuzimet dhe neglizhencën e Qeverisë krahas sfidave të mëdha ekonomike dhe sociale që ka Kosova. Do të jetë opozitë në shërbim të popullit”, tha në fund Ismaili.