RRAHMAN JASHARAJ

Rezultatet e testit PISA, Jasharaj: Të thirren të gjitha palët që ndërlidhen me arsim dhe të gjejmë një rrugëdalje

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se rezultatet e testit PISA nuk e gëzojnë askënd.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Jasharaj tha se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, duhet t’i thërrasë të gjitha palët e përfshira në arsim dhe që bashkërisht të gjejnë një rrugëdalje.

“Ky lajmi i sotëm nuk e gëzon askënd, të gjithë ndihemi keq sepse edhe kësaj radhe Kosova është ranguar keq në testin PISA. Por nga ana tjetër e përgëzoj zonjën Nagavci që sot më në fund ishte e matur me deklaratën e saj dhe duke thënë se një pjesë të fajit mund ta ketë edhe ajo pjesa që e kaluam me shumë vështirësi nga COVID-19 dhe mësimi online”- tha Jasharaj.

“Unë konsideroj se Nagavci duhet t’i thërrasë të gjitha palët që ndërlidhen me arsim por, në radhë të parë Akademinë e Shkencave dhe Arteve sepse aty janë kokat më të ditura të vendit tonë, patjetër edhe ekspertë të mirëfilltë, përfaqësues të SBASHK-ut dhe të ulemi bashkërisht të analizojmë situatën në mënyrë të gjejmë rrugëdalje”- shtoi ai.

Jasharaj numëroi edhe disa nga faktorët që, sipas tij, mund të kenë ndikuar në rangimin e dobët të Kosovës në PISA.

“Mbase mund të jetë edhe kurrikula që nuk është më e qëlluara, mund të jenë tekstet shkollore që korrespondojnë me kurrikulën dhe mbase jam i bindur që mësimdhënësit, pjesa dërrmuese e tyre, angazhohen mjaft. Mbase kurrikula dhe tekstet shkollore nuk janë atë që japin pikërisht atë dituri që duhet të marrin nxënësit të jenë më të suksesshëm në testin PISA, pra nëse vazhdohet sikurse herëve të kaluara që të kërkohet një fajtor që të bëhet me gisht ka njëri apo tjetri”- vlerësoi Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut tha se nuk duhet kërkuar fajtorë dhe të mos ofendohet figura e mësuesit, por ritheksoi se duhet gjetur një zgjidhje bashkërisht.

“Mos të kërkojmë fajtorë, mos të ofendojmë figurën e mësuesit, por të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje bashkërisht dhe jam i bindur që situata në arsimin tonë nuk është aq e dobët sa është paraqitur në testin PISA, por mund të ndodhë që punohet shumë por nuk punohet e nuk mësohen fëmijët me atë që duhet mësuar”- theksoi ai.

Sipas Jasharajt, Qeveria duhet të shtojë buxhetin për arsim, në mënyrë që siç tha ai, shkollat të pajisen me llaptopë e projektorë.

I pyetur nëse ende i qëndron pas deklaratës se a është kundër vlerësimit të mësimdhënësve me anë të testimit të njohurive, Jasharaj tha se ka të njëjtin pozicion.

Ai vlerëson se testi me shkrim do ishte degradues dhe nënçmues për kolegët e tij, teksa thekson se duhet shtuar numri i inspektorëve profesionalë qe të ndihmojnë mësimdhënësit për të evituar dobësitë eventuale.

“Ne qëndrojmë në të njëjtin pozicion dhe të njëjtat deklarata sepse testi me shkrim do ishte degradues dhe nënçmues për të gjithë ato angazhime, për të gjitha ato teste e provime që kolegët e mi i kanë dhënë në fakultet, kemi insistuar dhe insistojmë që të shtohet numri i inspektorëve profesionalë që të shkojnë në shkollë dhe të ndihmojnë mësimdhënësit t’i evitojnë dobësitë eventuale”- u shpreh Jasharaj për KALLXO.com.

Më tej, kryetari i Sindikatës thotë se edhe MASHTI për momenti nuk kërkon test, përveç se sipas tij, ata duhet të bëjnë kritere të caktuara për kolegët që duan të avancohen.

“Unë i përgëzoj dhe i lus që të angazhohen dhe të sfidojnë veten që të marrin licencën e avancuar dhe pse jo edhe atë të përhershmen sepse në këtë mënyrë e dëshmojnë që dijnë dhe në këtë mënyrë i ngritën edhe pagat siç parashihet me ligj. Besoj që së shpejti shtohet numri i inspektorëve profesionalë”- përfundoi Jasharaj.

Kosova sot ka pranuar rezultatet e testit PISA për vitin 2022 ndërsa të dhënat tregojnë rënie të statistikave krahasuar me vitin 2018.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në konferencën për media sot në Ministrinë e Arsimit, ministrja Arbërie Nagavci ka folur për rezultatet e testit PISA të vitit 2022.

“Ka më shumë se një faktor që ka ndiku në rezultate, politikat, tekstet, infrastruktura shkollore, praktikat e konsoliduara që mungon komplet llogaridhënia dhe shumë faktorë të tjerë. Pra nuk është vetëm një fajtor dhe nuk është vetëm një veprim që do të mundësonte përmirësim të rezultateve”- deklaroi ministrja Nagavci.

PISA 2022 ka qenë cikli i tretë për Kosovën, teksa fushë kryesore ka qenë matematika dhe në të kanë marrë pjesë 6,027 nxënës të 229 shkollave.