Foto: KALLXO.com

Pas më shumë se dy javë pritje, minatorët e “Trepçës” e marrin pagën e korrikut

Pas më shumë se dy javë pritje, minatorëve të “Trepçës” u kanë dalë pagat e korrikut.

Për shkak të mosdhënies së pagës, ata kishin hyrë në grevë nga 10 gushti.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi ka treguar se greva është ndërprerë të shtunën e javës së kaluar, pas premtimit të menaxhmentit se do të bëhet realizimi i pagave të hënën. Por, kjo nuk kishte ndodhur.

“Situata jashtëzakonisht është shumë e ranë, për shkak të mosrealizimit të pagave ndaj minatorëve. Kjo ka bërë që ditën e shtunë e kanë ndërpre grevën, iu kanë kthy vendeve të punës dhe prodhimit, ku i është premtu që deri të hënën të bëhet realizimi i pagave nga menaxhmenti dhe kjo gjë nuk ka ndodhur” – tha Jonuzi.

Sipas tij, menaxhmenti i kësaj kompanie ende nuk ka dalë t’i informojë punëtorët e “Trepçës” për arsyen e vonësës së pagave.

E për minatorët kjo vonesë u ka shkaktuar probleme.

“Ka ndiku shumë keq se çdo minator ka kredi, është i varur vetëm prej ‘Trepçës’ dhe çdo minator e pret vetëm qet pagë. Kjo pagë është dashtë me u realizu para një jave” – thotë Zenel Haxha, minator në këtë kompani.

Ndërsa nga drejtoria e kësaj  miniere  thonë se kjo çështje është në kompetencë të kryeshefit ekzekutiv.

Fatos Begu, u.d. drejtor i Minierës së Trepçës thotë se kjo çështje nuk është në kompetencë të tyre, duke drejtuar përgjegjësinë te kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani.

Ndonëse KALLXO.com të enjten ishte në objektet e menaxhmentit të “Trepçës”, Abdurrahmani nuk ishte i qasshëm për t’u përgjigjur në lidhje me vonesën e pagave të minatorëve.